Kryetart i Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, ka njoftuar se ka paraqitur padi ndaj Agron Kuçit dhe subjektit politik AAK – Dega në Junik, për siç thotë ai, “shpifje dhe fyerje publike”.
Në njoftimin e tij publik, Shehu ka theksuar se padia është dorëzuar sot dhe se çështja do të trajtohet në gjykatë. Ai ka shprehur bindjen se do të dalë fitues, “njëlloj sikurse në zgjedhjet e 9 nëntorit 2025”.
“Shehu ka paralajmëruar se në ditët në vijim do të dorëzohen edhe padi të tjera civile dhe kallëzime penale ndaj personave të tjerë që, sipas tij, kanë bërë deklarata të pavërteta dhe fyese.”
Në të njëjtën kohë, ai ka bërë të ditur se është dërguar një kërkesë zyrtare në Prokurorinë e Shtetit, Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin Policor të Kosovës, për sigurimin e një prezence të shtuar të policisë gjatë ditës së zgjedhjeve më 9 nëntor, “në mënyrë që të parandalohet çdo incident i mundshëm”.
Shehu ka pretenduar se ka pranuar informacione nga qytetarët për “tentime të blerjes së votave nga eksponentë të AAK-së”, duke shtuar se Komuna e Junikut monitorohet 24 orë në ditë nga kamerat e sigurisë të instaluara gjatë mandatit të tij të parë.
Ai ka falënderuar Policinë e Kosovës për angazhimin dhe profesionalizmin e treguar, ndërsa u ka bërë thirrje qytetarëve të Junikut “të ruajnë qetësinë dhe të injorojnë provokimet e kundërshtarëve politikë”.
“Shehu ka përfunduar njoftimin e tij duke u shprehur se më 9 nëntor fitorja do të jetë e tij, duke theksuar se ‘junikasit nuk shiten, nuk blihen dhe nuk mashtrohen’.”







