Fituesi i zgjedhjeve në Junik, kryetari Ruzhdi Shehu, ka shprehur mirënjohje të thellë ndaj mërgatës junikase për mbështetjen që i kanë dhënë gjatë fushatës zgjedhore. Në një postim në rrjete sociale, Shehu ka theksuar rëndësinë e kontributit të diasporës dhe lidhjen e fortë që ata vazhdojnë të kenë me vendlindjen.
“Sot që nga mëngjesi e kemi kaluar duke takuar disa nga mërgimtarët e Junikut si Buqe Krasniqi, Musë Zekaj, Pajtim Pepshi dhe shumë të tjerë. Ju falënderoj nga zemra qindra mërgimtarëve që kanë ndarë kohën e tyre të çmuar për të ardhur në Junik dhe për të më dhënë mbështetje gjatë këtyre zgjedhjeve,” ka shkruar Shehu.
Ai u ka uruar udhëtim të mbarë të gjithë atyre që po kthehen në vendet ku jetojnë, duke i siguruar se “dyert e Komunës së Junikut janë gjithmonë të hapura për të gjithë, pa dallim bindjesh politike”.
“Shehu ka theksuar se mërgimtarët jetojnë fizikisht larg, por zemrën dhe mendjen e kanë në Junik. ‘Me krenari ju them se Juniku do të bëhet më mirë se kurrë. Së bashku me ju, do të vazhdojmë transformimin e Junikut të filluar në mandatin e parë,’ ka theksuar ai.”
Në fund të mesazhit të tij, Shehu ka shprehur mirënjohje të përhershme ndaj diasporës junikase për kontributin e tyre të vazhdueshëm: “Zoti ju bekoftë juve dhe familjet tuaja,” ka përfunduar ai.







