Kryetari i Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, ka deklaruar se dy fshatrat malorë, Jasiq dhe Gjocaj, do të kthehen në qendra të rëndësishme turistike dhe zhvillimore të komunës.
Shehu theksoi se këto dy “eko fshatra” kanë një potencial të madh natyror dhe historik, dhe se banorët e tyre kanë dhënë kontribut të çmuar për Junikun dhe gjithë Kosovën, para, gjatë dhe pas luftës. Ai shtoi se për më shumë se një dekadë, këto fshatra kishin mbetur të harruara nga pushteti i kaluar.
“Gjatë mandatit tonë të parë kemi ndërtuar kanalet e ujitjes, muret mbrojtëse, kemi asfaltuar disa rrugë dhe hapur rrugë të reja fushore. Po ashtu, kemi zgjeruar shërbimin për mbledhjen e mbeturinave dhe kemi ndërtuar urën që lidh Jasiqin dhe Gjocajn,” tha Shehu.
Duke folur për planet për mandatin e dytë, ai njoftoi se komuna do të vazhdojë me shtrirjen e rrjetit elektrik, asfaltimin e rrugëve dytësore dhe përfundimin e rrjetit të ujësjellësit në bashkëpunim me institucionet kompetente.
“Me punë të ndershme, përkushtim dhe duar të pastra, do të krijojmë kushtet themelore për jetesë dhe zhvillim. Jasiqi dhe Gjocaj do të transformohen në qendra turistike që do të jenë promotorr i zhvillimit për gjithë Junikun,” përfundoi Shehu.
Ai shtoi se përkushtimi i tij dhe i ekipit të tij për të vazhduar punën mbetet i palëkundur, duke e përmbyllur mesazhin me moton: “Vazhdojmë +4.”






