Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Junik, Ruzhdi Shehu, ka shprehur mirënjohje të thellë për përkrahjen e madhe të mërgatës junikase, duke e cilësuar atë si forcën kryesore të fitores së ardhshme në zgjedhjet e 9 nëntorit.

Në një reagim publik, Shehu u bëri thirrje bashkatdhetarëve që të mos bien pre e provokimeve dhe presioneve politike nga kundërshtarët, duke theksuar se deri më tani janë konfirmuar mbi 900 vota për LDK-në nga votuesit e regjistruar të Junikut që jetojnë jashtë vendit. Ai shtoi se gjatë dy ditëve të ardhshme pritet të shtohen edhe rreth 100 vota të tjera, që do të “vulosin përfundimisht fitoren e LDK-së”.

“Ju jeni gjysma e zemrës së Junikut. Prandaj ju lutem të injoroni të gjitha kërcënimet, mashtrimet apo provokimet e kundërshtarëve politik. Transformimin e Junikut nuk mund ta ndal askush, sepse për Junikun vendosin vetëm junikasit”, ka deklaruar Shehu.

Shehu premtoi se përkrahja e mërgatës do të shpërblehet me më shumë punë, përkushtim dhe projekte konkrete për zhvillimin e Junikut, duke e cilësuar këtë mbështetje si “madhështinë e fitores së LDK-së më 9 nëntor”.