E përditshmja serbe Nova.rs, raporton se ka pranuar një ankesë nga një qytetare serbe e cila kishte planifikuar që të udhëtonte për në Rusi, të cilës i ishte kërkuar testi PCR edhe pse ishte vaksinuar me të dy dozat e vaksinës ruse Sputnik.

Gazetarët e Nova.rs kishin shquar në ueb faqen e Ministrisë së Jashtme Ruse për kushtet që duhet të plotësohen për të udhëtuar në Rusi. Për banoret e Serbisë që dëshirojnë të udhëtojnë në Rusi thuhej se duhet të kenë të kryer testin PCR ose duhet të kenë certifikatën e vaksinimit e cila përmban kodin QR, që është i lëshuar nga institucionet kompetente të Federatës Ruse.

Pas kësaj gazeta ka kontaktuar Ambasadën Ruse në Serbi dhe nga ajo ka marr një njoftim se për qytetarët e Serbisë që dëshirojnë të udhëtojnë në Rusi, kërkohet testi PCR, jo më i vjetër se 72 orë.

Pas tërë kësaj shtrohet pyetja nëse ruset nuk e njohin vaksinën e tyre?
Është interesant fakti se para rreth dy muajve, Serbia ishte krenuar me faktin se vaksina ruse Sputnik ka filluar të prodhohet në Serbi, për çka edhe kishte organizuar ceremoni zyrtare, ku me pompozitet ishte njoftuar fillimi i prodhimit të vaksinës ruse në Serbi, por si duket as kjo nuk mjafton që Rusia të pranoj vaksinat e saja që janë marr dhe që prodhohen në Serbi.