Rusia me grupe propaganduese në rrjete sociale kundër vaksinimit edhe në Kosovë

Organizata GeoPost që merret me hulumtimin e ndikimit të huaj në Ballkanin Perëndimor, ka njoftuar se, në kuadër të fushatës dezinformuese kundër vaksinimit për COVID-19, fushatë e cila burim të propagandës ka Rusinë, si shumë vende të tjera perëndimore, nuk ka mbetur pa u prekur dhe ndikuar edhe Kosova.

Drejtori i saj Gynen Venhari, ka thënë se “burimi i shumicës së dezinformatave në lidhje me vaksinat vjen nga aparati propagandistik i qeverisë ruse, e cila kultivon dhe shfrytëzon të ashtuquajturit ‘idiotë të dobishëm’ të huaj kundër vaksinave, duke shkaktuar dëm të dukshëm për qytetarët e vendeve perëndimore”.

“Megjithëse në Kosovë nuk ka influencues pro-rusë, së paku nga shqiptarët, kjo nuk do të thotë se te ne nuk ka profile të rreme në rrjetet sociale, veçmas në Facebook, të cilët e kryejnë këtë mision”, ka thënë Venhari.

Gynen Venhari, drejtor ekzekutiv i “GeoPost”

Ai ka theksuar se, ajo që u raportua në media, sipas hulumtimeve është se themeluesit e grupit “Stop Vaksinës“, janë të rrejshëm dhe gjithsesi provojnë që ta përçajnë shoqërinë kosovare në raport me vaksinimin, gjë e cila është në dobi të shëndet publik.

“Këto grupe, të cilat janë të krijuara për interes të akterëve shtetërorë ose jo shtetërorë rusë, e shfrytëzojnë atë që njihet si Coordinated Inauthentic Behavior (CIB) apo Sjellje e Koordinuar Joautentike në rrjete sociale dhe e rrisin audiencën për qëllime të tyre dhe në dëm të shoqërive të palës së kundërt”, ka shtuar ai.

Venhari thekson se këto “grupe” apo “faqe” në Facebook, pastaj në të ardhmen mund ta ndryshojnë destinimin dhe vet emrin dhe të kthehen nga STOP VAKSINËS, në STOP PAVARËSISË SË KOSOVËS apo STOP NATO-s.

Kohën e fundit, shumë studime shkencore kanë zbuluar me mijëra llogari ruse nëpër rrjetet sociale të cilat janë duke përhapur mesazhe kundër vaksinës. Madje mediet shtetërore ruse dhe llogaritë e Qeverisë ruse në Twitter, kanë bërë përpjekje të dukshme për të ngritur shqetësimet në lidhje me koston dhe sigurinë e vaksinës Pfizer, e cila shihet si një përpjekje për të promovuar shitjen e vaksinës ruse Sputnik V.

Lidhur me këtë, Facebook ka mbyllur qindra llogari për të cilat tha se “ishin pjesë e një fushate dezinformomi të drejtuar nga Rusia, e cila përdori influencer të rrjeteve sociale për të shpërndarë pretendime të rreme në lidhje me vaksinat kundër Coronavirusit”.

Hetuesit e kësaj çështje e quajtën këtë fushatë si një “fabrikë e dezinformimit”, duke krijuar kështu artikuj dhe peticione mashtruese në forume si Reddit, Medium dhe Change, dhe duke përdorur llogari të rreme në platforma si Facebook dhe Instagram për të amplifikuar përmbajtjen.

Një shembull i tillë në Kosovë, i cili është krijuar në platformën Facebook nga një llogari e rreme, është edhe rasti i grupit “Stop Vaksinës”, i krijuar më 14 qershor 2021 me përmbajtjen “jo maska, jo vaksina, jo mikrochipa, jo karantinë”, shembull i cili është publikuar nga mediet vendore.

Themeluese e këtij grupi është një profil me emrin “Majlinda Nikçi”, e cila, sipas profilit në Facebook, thuhet se ka lindur dhe jeton në Prishtinë dhe ka studiuar në universitete si: Universiteti i Prishtinës në Prishtinë, Universitetin e Prishtinës në Pejë, Universitetin në Utah, ndërsa si përvojë pune ka listuar “Eurostyle Clothing” me lokacion në SHBA dhe Zvicër, e më pas nga kjo kompani stilistike e veshjeve, ka kaluar me punë në “Facebook App” si “inxhiniere softuerike”.

Një tjetër “administratore” e grupit “Stop Vaksinës” është profili “Ermira Krasnica”. I njëjti profil ka filluar administrimin me faqen që nga data 24 qershor 2021, vetëm dhjetë ditë pas krijimit të grupit “Stop Vaksinës”.

Në krahasim me profilin e mëparshëm, profili i “Ermira Krasnica” nuk ka të dhëna personale të disponueshme publike, por vërehet se e njëjta, sikur shumë faqe të tjera propaganduese ruse, shpërndanë lajme nga një medie e kontrolluar nga shteti rus si Russia Today (RT).

Studiues të ndryshëm, “fact checkers”, reporter të lajmeve, vende perëndimore, e konsiderojnë televizionin shtetëror rus “RT” si një prizë të madhe propagandistike për qeverinë ruse dhe politikën e saj të jashtme, si dhe një furnizuese e madhe e dezinformatave dhe teorive konspirative.