OKB-së

Rusia i kërkon mbledhje urgjente Këshillit të Sigurimit për Ushtrinë e Kosovës (Dokument)

Rusia, me kërkesë të Serbisë, i është drejtuar zyrtarisht Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe ka kërkuar që të mblidhet sa më parë pas formimit të Ushtrisë së Kosovës.

Në letrën drejtuar sot presidentit të Këshillit të Sigurimit, Kacaou Houadja Leon Adom, të cilën e posedon ekskluvizisht Ballkani.info, Rusia kërkon mbledhje urgjente.

“Kërkojmë mbledhje urgjente për një datë sa më të hershme për të shqyrtuar vendimin e institucioneve të përkoheshme në Prishtinë për të transformuar Forcat e Sigurisë të Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës. Ky vendim është dhunim i drejtpërdrejt i Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB e cila është akti i vetëm ligjor ndërkombëtar sa i përket Kosovës”, thuhet në kërkesë.

    Tutje aty thuhet se Rezoluta thekson se forcat e vetme që mund të veprojnë në Kosovë janë ato ndërkombëtare.

    “Krijimi i Ushtrisë së Kosovës mund të ketë pasoja jo vetëm për popullësinë serbe në Kosovë, por edhe për rajonin e Ballkanit dhe me gjerë”, thuhet në kërkesën e nënshkruar nga Vassily Nebenzia. /Ballkani.info/