Gjashtëqind mercenarë rusë janë dërguar kohët e fundit në Republikën e Afrikës Qendrore, kanë raportuar mediat ruse, duke cituar një burim të Ministrisë së Jashtme.
Në total numri i luftëtarëve rusë në Afrikën Qendrore ka arritur 1 mijë e 135. Më vonë në një deklaratë ministria ruse konfirmoi se a dërguar këta mercenarë, por i quajti instruktor. Mirëpo, i dërguari i Kombeve të Bashkuara për Republikën e Afrikës Qendrore akuzoi forcat e sigurisë së këtij shteti dhe aleatët e tyre rusë për shkelje të shumta të të drejtave të njeriut. Kombet e Bashkuara janë të shqetësuara për vrasjet pa gjyq dhe gjymtimet që po iu bëhen banorëve lokal nga mercenarët rusë.
Një nga vendet më të varfra të botës, Republika e Afrikës Qendrore, ka qenë e paqëndrueshme që kur fitoi pavarësinë nga Franca në 1960. Marrëdhënia e këtij shteti me Moskën daton që nga viti 2018, kur Rusia dërgoi instruktorë për të ndihmuar stërvitjen e forcave të saj të armatosura, e që më vonë u konfirmuan se ishin mercenar të kompanisë Wagner, e mikut të Putinit.
Në një raport vjetor në Qershor për Këshillin e Sigurimit të KB, ekspertët dokumentuan atë që ata e përshkruan “si një varg abuzimesh që shkelnin ligjin ndërkombëtar humanitar”.
Shkeljet – nga ushtarët e Afrikës Qendrore dhe rusët, përfshinin raste të përdorimit të tepruar të forcës, vrasjeve pa kriter, okupimit të shkollave dhe plaçkitjeve në një shkallë të gjerë, përfshirë organizatat humanitare, tha raporti. Ekspertët e KB, duke cituar burime të shumta, vlerësuan se deri në 2,100 mercenarë rusë mund të ishin në vend tani. Republika e Afrikës Qendrore është bërë një zonë kryesore në polemikat rreth rolit në Afrikë të grupit mercenar Wagner i cili drejtohet nga biznesmeni, Yevgeny Prigozhin, një aleat i Presidentit Vladimir Putin. Rusia ka mohuar që paramilitarët Wagner të jenë vendosur në Afrikë, duke thënë se vetëm instruktorë ushtarakë janë dërguar për të trajnuar ushtarë lokalë.
Nën Putinin, Moska ka kërkuar të ringjallë marrëdhëniet e epokës Sovjetike dhe të ndërtojë aleanca të reja në Afrikë, duke forcuar ndikimin global të Moskës përballë konfrontimit me Perëndimin.






