Zelensky

Rusia godet infrastrukturën, Zelensky: Sulmet do të fuqizohen me ardhjen e dimrit

Për të dytën natë radhazi, Rusia lëshoi mbi kiev një seri sulmesh me dronë. Kreu i administratës ushtarake të qytetit, Serhiy Popko, bëri të ditur se sistemet e mbrojtjes ajrore të Ukrainës kishin goditur rreth 10 dronë në kryeqytet dhe rrethinat e tij.

Siç thuhet, nuk u shënuan viktima apo dëme kritike. Ndërsa një ditë më herët dronët Shahed e prodhuar në Iran, shenjëstruan infrastrukturën dhe shkaktuan ndërprerje të energjisë elektrike në më shumë se 400 qyteza dhe fshatra në jug, julindje dhe veri të vendit.

Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski vlerësoi forcat ajrore për rrëzimin e numrit më të lartë të dronëve që Rusia kishte lëshuar drejt Ukrainës në më shumë se një javë, ndërsa 29 nga 38 të tillë u goditën nga forcat e Kievit.

“Saktësia juaj djema, praktikisht nënkupton jetë për Ukrainën. Sa më shumë qe t’i afrohemi dimrit, aq më shumë rusët do të përpiqen të fuqizojnë sulmet.”

Ai tha se Rusia është duke grumbulluar raketa për ofensivën gjatë dimrit ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës. Gjatë sulmeve të fundjavës u godit gjithashtu një cisternë nafte në Odesa, ku mbi 1500 veta mbetën pa energji.

Ukraina ka bërë me dije se gati 21 mijë njerëz në rajonin e Donjetsk janë pa elektricitet dhe po ashtu 63 vendbanime në Zaporizhia. Dimrin e kaluar sulmet ruse lanë miliona ukrainas pa energji, në temperatura të acarta.

Sakaq, autoritetet në Rusi thanë se një dron ukrainas që po i drejtohej Moskës ishte rrëzuar gjatë së shtunës. Sipas ministrisë së mbrojtjes mjeti pa pilot ishte interceptuar mbi distriktin e Bogorodsky, në periferinë lindore të kryeqytetit.