Gjiganti i teknologjisë botërore, Google, është gjobitur me 100 milionë dollar nga Rusia, si shkak që nuk i ka larguar përmbajtjet ku bëhej thirrje për protesta nga opozita ndaj liderit autoritar, Vladimir Putin.

Njoftimin e dha vetë media shtetërore ruse, duke u arsyetuar se google ka dështuar që t’iu përmbahet rekomandimeve ruse, për t’i fshirë nga platforma përmbajtjet e padëshiruara për pushtetarët.

Gjoba po konsiderohet si presion i Moskës ndaj platformave të huaja të internetit që nuk po arrijnë t’i kontrollojnë dhe në të cilat po publikohen mesazhe e ftesa për protesta ndaj regjimit.

Ndër pikat kryesore pse Moska është gjndosur, janë përmbajtjet dhe mesazhet që bëjnë thirrje që rusët të protestojnë në mbështetje të kritikut të burgosur të Kremlinit Alexei Navalny, grupet e të cilit u shpallën të jashtëligjshme si “ekstremiste” këtë vit.

Moska ka rritur presionin mbi kompanitë teknologjike me bazë kryesisht në SHBA për atë që e quan ndërhyrje në politikën e brendshme të Rusisë, si dhe dështimin për të hapur zyra fizike dhe për të transferuar të dhënat e përdoruesve në serverët brenda vendit.