Një zyrtar i lartë rus i ka thënë ambasadorit izraelit se secili veprim që çon në rritjen e numrit të viktimave civile në Gaza do të ishte i papranueshëm, tha Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë.
Më herët gjatë kësaj jave, Rusia iu bashkua një numri gjithnjë në rritje të shteteve dhe blloqeve ndërkombëtare, përfshirë ShBA-në, BE-në dhe Kombet e Bashkuara, të cilat kanë bërë thirrje për armëpushim të menjëhershëm.
Dhjetëra diplomatë të huaj ndodhen tash për tash në Izrael në përpjekje për të ndërmjetësuar për arritjen e marrëveshjes së paqes, shkruan BBC.
Kjo nuk është hera e parë që Rusia e kritikon Izraelin që nga fillimi i luftimeve. Të premten e kaluar, Sergei Vershinin, zëvendësministër i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, i bëri thirrje Izraelit që menjëherë t’i ndalë të gjitha aktivitetet për ndërtimin e vendbanimeve në territoret palestineze.
Ndërkohë Kremlini përmes një deklarate tha se Rusia shpreh shqetësim serioz për përleshjet e vazhdueshme dhe rritjen e numrit të njerëzve të vrarë e të plagosur.
Përpjekje dhe thirrje për arritjen e armëpushimit po bëjnë edhe fuqitë tjera. Egjipti ka bërë thirrje për ndërmjetësim në përfundimin e luftimeve, ndërsa Franca kërkoi rezolutë të Këshillit të Sigurimit rreth dhunës mes dy palëve, në kohën kur trysnia e diplomacisë ndërkombëtare po shtohet.
Jordania gjithashtu ka lobuar në mënyrë intensive për ndërprerjen e dhunës dhe i është bashkuar thirrjes së Francës për paraqitjen e një rezolute që garanton lehtësim urgjent humanitar.
Përkrahje për thirrjen e Francës ka ofruar edhe Kina. Ambasadori kinez në Kombet e Bashkuara, Zhang Jun, tha para gazetarëve se ekipi i tij ka dëgjuar për propozimin e Francës për armëpushim dhe se Kina e përkrah atë.
Presidenti i Francës, Emannuel Macron, tha të hënën se do të punojë me presidentin e Egjiptit dhe Mbretin e Jordanisë për një propozim konkret për armëpushim dhe për rrugën e mundshme drejt bisedimeve mes Izraelit dhe Palestinezëve.







