Rusët në Shqipëri, vjet ‘turistë’ nga Moska vizituan bazën e Kuçovës

Rasti i Gramshit nuk përbën herën e parë që agjentë rusë, të kamufluar nën petkun e turistëve, përpiqen të sigurojnë pamje nga ish-bazat ushtarake në Shqipëri.

Sipas mediave ndërkombëtare, verën e kaluar, dy shtetas rusë u kapën nga policia jashtë perimetrit të bazës ajrore të Kuçovës.

Ata ishin të pajisur me një avion të vogël të telekomanduar, të cilin do ta përdornin për të filmuar strukturën e bazës, që së fundmi i është dhënë NATO-s.

Sikurse në rastin e së shtunës mbrëma, edhe asokohe të dyshuarit kishin hyrë në vendin tonë si turistë, në bazë të ligjit që u lejojnë shtetasve rusë të lëvizin pa viza për shkak të sezonit veror.

Ndërkohë, në vitin 2016 u përfol për një ndalesë të disa shtetasve rusë pranë ish-bazës së Pashalimanit në Vlorë.

Atëherë shtetasit rusë kishin me vete aparate fotografike të cilët do t’i përdornin për të marrë plane nga baza.

Edhe në atë rast, grupi i vizitorëve u ndalua nga policia, por në mungesë provash për ndonjë aktivitet të paligjshëm u lanë të lirë dhe u dëbuan nga Shqipëria.

Në shkrimet e tyre, mediat ndërkombëtare e vënë theksin tek fakti se Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe se prania e rusëve mund të jetë një përpjekje e Kremlinit për të mbledhur informacion mbi bazat ushtarake shqiptare. /Euronews Albania/