Ministria ruse e Mbrojtjes ka lëshuar një paralajmërim për banorët e Keivit se po përgatitet të godasë objektivat në kryeqytetin ukrainas, raporton “BBC”.

Në një deklaratë të lëshuar pak minuta më parë, zyrtarët rusë kanë njoftuar se forcat e tyre po përgatiten të nisin “sulme me precizion të lartë” kundër “qendrave teknologjike të Shërbimit të Sigurisë në Ukrainë dhe qendrës kryesore të Kievit”.

“Ne u bëjmë thirrje qytetarëve ukrainas, të cilët po përdoren nga nacionalistët për të kryer provokime kundër Rusisë, si dhe banorëve të Kievit, që të largohen nga shtëpitë e tyre”, thuhet në deklaratën e Ministrisë ruse të Mbrojtjes.

Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, paralajmëroi se trupat ruse janë shumë pranë kryeqytetit të Ukrainës dhe tha se forcat vendase janë gati për ta mbrojtur atë.

“Armiku është në periferi të Kievit. Forcat tona të armatosura, po luftojnë heroikisht për atdheun tonë”, tha Klitschko në një videomesazh në Facebook.

“Janë ngritur fortifikime përgjatë hyrjeve në qytet. Iu kërkoj të gjithëve që të ruani qetësinë. Mos dilni jashtë nëse nuk është e nevojshme dhe futini nëpër strehime nëse bie alarmi”, shtoi ish-kampioni i boksit.