Kryeministrja e Rumanisë, Viorica Dancila, ka deklaruar se vendi i saj do ta mbështesë kandidaturën e Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian kur Rumania ta marrë udhëheqjen e presidencës së BE-së nga 1 janari i vitit të ardhshëm.
Ajo i bëri këto komente gjatë takimit me udhëheqësin serb, bullgar dhe grek, i cili u mbajt dje në Beograd. “Rumania do ta mbështesë rrugën evropiane të Serbisë. Ne të gjithë duhet të angazhohemi në përkrahje të Serbisë. Zgjerimi i Bashkimit Evropian është prioritet për Rumaninë”, deklaroi Dancila.
Udhëheqësit e katër shteteve diskutuan kryesisht për tregtinë dhe imigrantët, ndërsa takimi ishte pjesë e negociatave rajonale. Në anën tjetër, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se është arritur marrëveshje për ta themeluar një komision, i cili do ta përgatisë kandidaturën e këtyre vendeve për ta organizuar Kampionatin Evropian në futboll në vitin 2028 ose Kupën e Botës në vitin 2030, shkruan “Free Europe”.







