Zgjedhjet

Rudari: Unë flej me problemet e llapjanëve, Bulliqi u tërhoq nga debati se s’pati argumente

Në emisionin “Debat” të RTK-së po ballafaqohen dy kandidatët për kryetar të Podujevës në zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen më 29 nëntor, Nexhmi Rudari i LDK-së dhe Naim Fetahu i PDK-së.

Ndërkaq kandidati i VV-së, Shpejtim Bulliqi nuk ka pranuar të jetë në debat.

Rudari, i cili është ushtrues detyre i kryetarit të Podujevës, ka thënë se ia është i interesuar që të vazhdojë me punët e mira që janë bërë në këtë mandat.

“Sigurisht unë jam shumë i bindur që me përkushtimin tim kam treguar para llapjanëve se mund ta kem besimin e tyre deri në fund të këtij mandati, i cili përfundon në tetor të vitit 2021. Edhe kjo do të jetë dëshmi që qytetarët do të më vlerësojnë edhe atëherë për një mandate të ri”, ka thënë Rudari.

Ai tutje ka thënë se në 10 ditët e fundit të gjithë drejtuesit e Lëvizjes Vetëvendosje janë përqendruar në Podujevë.

“Ka 10 ditë që edhe militantë nga Shqipëria janë zhvendosur në Podujevë. Nëse qytetarët dëshirojnë të shohin projekte dhe punë të mira, dhe të vazhdojmë deri në fund të mandatit, atëherë unë jam i gatshëm të vazhdojë”, ka thënë ai.

Tutje Rudari ka thënë se është i sprovuar në krye të komunës.

“Jam sprovuar tash e një kohë në komunë dhe i njoh kërkesat e qytetarëve. Unë flej me problemet dhe shqetësimet e qytetarëve. Jetoj atje dhe i di të gjitha shqetësimet dhe hallet e llapjanëve”, ka thënë Rudari.

Ndërkaq duke komentuar mospjesëmarrjen e Bulliqit në debat, ai ka thënë se kjo është tërheqje strategjike e tij. “Është tërheqje strategjike e tij, sepse e ka pa edhe në debatet tjera që nuk e ka asnjë argument dhe është tërhequr”, ka thënë Rudari.