Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka folur të premten për herë të parë lidhur me protestën e banorëve të Astirit, të cilët kërkojnë dëmshpërblime për shtëpitë që do të prishen në kuadër të ndërtimit të Unazës së Re.
“Unë e ndjej fort se çdo të thotë të të prishet shtëpia, me apo pa leje. Se mbi të gjitha jam një si ata, jam fshatar, që kam bërë shtëpi me duart e mija. Kimetin shtëpisë ia di jo ai që ka lekë dhe e bën, por ai që ka pak lekë dhe vetë e bën”, tha Ruçi, gjatë një takimi me banorë të Libofshës, të cilëve iu dorëzuan certifikata pronësie.
Ruçi tha se “gabimet që të bën politika e paguan e gjithë shoqëria. Ata sot fatkeqësisht po paguajnë gabimet e politikës, të djeshme dhe të sotme, të cilët ndryshe flasin sipas ligjit kur janë në pushtet, ndryshe kur janë në opozitë.”
Kryetari i Kuvendit i bëri thirrje politikës “të mos shfrytëzojnë hallin e tyre për hallet që ka politika dhe të mos i përdorin si ‘mish për top’ deri në përdorim dhune tek djemtë dhe vajzat e këtij vendi. Një vajzë e re 24-vjeçare humbi gishtat e dorës. Pse? Sepse i interesonte politikës. Kjo është ta shpërdorosh besimin.”
“Unë që këtu nga Libofsha u bëj thirrje të ulemi, të diskutojmë dhe të njohim ligjin, ta zbatojmë, pushtetarët në radhë të parë dhe pa diskutim që aty janë interesat e qytetarëve. Nëse dikush vlerëson se zgjidhja nuk është e drejtë, sigurisht që ka gjykata. Me urtësinë më të madhe do të kërkoja, qetësi, maturi, për ta zgjidhur problemin dhe jo për ta ndërlikuar problemin.”/tvklan.al







