Ruajtja e sekreteve të Zotriut të Parë dëmton buxhetin, MPJD-ja paguan gjobën prej 13 mijë eurosh

13 mijë euro nga buxheti i shtetit janë derdhur në llogarinë e Agjencisë për Informim dhe Privatësi pasi kjo e fundit e gjobiti Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës që ka refuzuar të ofrojë faturat e shpenzimeve të diplomatit Prindon Sadriu, që është edhe bashkëshorti i presidentes së vendit, Vjosa Osmani.

Ruajtja e sekreteve të Prindon Sadriut, zotëriut të parë të Kosovës iu kushtoj taksave të popullit 13 mijë euro.

Zyra për media e AIP- njofton Gazetën se është bërë pagesa nga MPJD.

“Ju njoftoj se është bërë pagesa e gjobës nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës sipas vendimit Nr. A-272/2022 të AIP-së”.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës ishte dënuar me 13 mijë euro gjobë pasi që ka refuzuar t`i ofroj Gazetës Insajderi faturat e shpenzimeve të diplomatit Prindon Sadriu, që është edhe bashkëshorti i Presidentes së vendit.

MPJ me taksa të qytetarëve kosovarë paguante derivatet për udhëtimin e Sadriut nga Kosova në Maqedoni aty ku shërbente si zëvendësshef i misionit.

Por për këto shpenzime ky institucion nuk i ofroi të dhëna Gazetës ani pse ka mbi 4 muaj që kur i janë kërkuar ato, e që ligji i obligon t`i bëjnë publike.