Rrugica ku u vra Klodian Rasha do të marrë emrin e tij

Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, ka thënë sot se rrugica ku u vra 25-vjeçari Klodian Rasha do të mbajë emrin e tij.

Veliaj u shpreh se kjo ishte kërkesa e babait të Klodianit kur ai kishte shkuar për vizitë. Po ashtu, Veliaj foli dhe për protestën që po zhvillohet për vrasjen e 25-vjeçarit nga efektivi i policisë.

Ndërkohë, Veliaj nuk la pa sulmuar edhe opozitën, për të cilën tha se nuk e ka hallin te njerëzit, por te zgjedhjet.

“Isha për vizitë atye kanë kërkuar që t’i vënë asaj rrugicë emrin e djalit të tyre. Do ta kalojmë javën tjetër në këshillin bashkiak. I ati tha dua të kaloj këtu dhe të paktën kur të shikoj tabelën të më duket sikur e takoj përditë. Familja që ka hall thotë dua drejtësi për hallin tim, por mos e shkatërroni qytetin. Këta nuk kanë hallin e miletit, por të zgjedhjeve. Sa herë këta shkatërrojnë me keq humbasin”, u shpreh Veliaj.