Rrufeja godet aeroplanin në të cilin udhëtonte Daçiqi, aeroplani zbret në aeroportin më të afërm

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka shpëtuar nga një goditje rrufeje në aeroplanin derisa po fluturonte mbi Slloveni. Siç raportojnë sot mediat e Beogradit, aeroplanin me të cilin po udhëtonte ai, mbrëmë e ka goditur rrufeja në momentin kur ndodhej mbi Lubjanë.

Raportohet se goditja kishte shkaktuar panik, por në këtë incident nuk ka pasur pasoja të mëdha. Piloti aterroi në një aeroport më të afërt në Slloveni. Ai ka vazhduar udhëtimin për në Bled, ku do të marrë pjesë në Forumin Strategjik.

“Kuriri” i Beogradit e përshkruan se fillimisht ishte dëgjuar një shpërthim i lehtë, pastaj ishin parë vetëtima.

Slloveninë e Kroacinë dje i ka përfshirë një mot i keq, ku brenda vetëm dy orësh janë shënuar mbi 20 mijë vetëtima.

loading…