Rron Gjinovci i vazhdon kritikat ndaj Albin Kurtit: Skandaloz reagimi i tij

Analisti Rron Gjinovci e konsideron “skandaloz” reagimin e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ndaj aktakuzës së ish-udhëheqjes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Gjinovci tha se Vetëvendosje ka mbajtur qasje kundër Gjykatës Speciale dhe nëse marrim parasysh se formimi dhe funksionimi i saj është sipas Kushtetutës së Kosovës “sulmi ndaj saj është shqetësues”.

“Ishte qëndrim skandaloz. Ka dy javë rresht që të gjitha partitë dhe politikanët janë duke e sulmuar Gjykatën Speciale, e cila është e parashikuar në Kushtetutë. S’e kuptoj se me çfarë të drejte i kanë dhënë vetes politikanët e Kosovës të sulmojnë pushtetin e tretë, atë të drejtësisë, e kuptoj nëse dikush do të dilte të thoshte se ‘nëse do të shohim që ka ndërhyrje politike ne do t’i ndihmojmë sepse është e rëndësishme, lufta e popullit të Kosovës…’ mirëpo të dalësh e të sulmosh institucionet e drejtësisë kosovare, sepse ato janë në Kushtetutën e Kosovës, në atë mënyrë sikurse ka bërë Albini [Kurti]… ai ka dhe përgjegjësi më të madhe sepse është partia fituese e zgjedhjeve të fundit, e më pas çfarë po bëjnë partitë e tjera, mediat… kjo është jashtëzakonisht shqetësuese sepse kjo na tregon se nuk po ekziston diferenca e nevojshme mosndërhyrja në drejtësi,” – u shpreh Gjinovci në Euronews Albania.

Përballë replikës se Kurti nuk e votoi ngritjen e Gjykatës Speciale dhe për rrjedhojë mund të ketë të drejtë në qasjen e tij, Gjinovci u përgjigj në mënyrë kategorike se ligji duhet respektuar “duam apo s’duam ne, pajtohemi apo s’pajtohemi ne me të”.