Qytetarët e Rrogozhinës kanë qenë dukshëm më aktivë në zgjedhjet e përsëritura të 23 korrikut, krahasuar me ato të 14 majit, ku deri në orën 14:00 kanë votuar thuajse 30% e të gjithë personave me të drejtë zgjedhjeje.

Më 14 maj, në tërësi, deri në fund të procesit, votuan vetëm 32.02% e të gjithë banorëve, teksa më 23 korrik, shifra deri në 14:00, e përditësuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, është në 29.95%.

Ky angazhim i shtuar mund të ketë ardhur edhe nga mobilizimi i palëve, duke parë rezultatin shumë të ngushtë të 14 majit, kur Edison Memolla i Partisë Socialiste fitoi përballë Shkëlqim Hoxhës së koalicionit Bashkë Fitojmë me vetëm 21 vota ndryshore.

Zgjedhjet shkuan në ripërsëritje për shkak se Hoxha e kundërshtoi rezultatin, duke parë një kuti të fundit të Burgut të Rrogozhinës, e cila i dha edhe fitoren Memollës, duke përmbysur rezultatin.

Kjo kuti, sipas Bashkë Fitojmë, nuk duhet të llogaritej në proces.

Me kërkesën e rrëzuar nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirja Celibashi dhe më tej nga Komisioni i Ankimit dhe Sanksioneve, Hoxha dhe Bashkë Fitojmë iu drejtuan Kolegjit Zgjedhor, i cili e shpalli rezultatin të pavlefshëm për shkak të kutisë së burgut.

Teksa, në zgjedhjet e sotme, kjo kuti nuk do të llogaritet, pasi vuajtësit e dënimit në këtë institucion nuk do të kenë mundësi të votojnë.

Më herët, Celibashi në një deklaratë për mediat nga Rrogozhina ka kërkuar që qytetarët të mos joshen nga subjektet politike për të fotografuar votën.

“Fotografimi i votës përbën një shkelje të rëndë të ligjit penal, ka sanksione dënimi që shkojnë deri në 3 vjet. Do të marrim të gjithë informacionin e mundshëm në lidhje me këtë çështje”.

Gjithashtu një thirrje ai ka pasur dhe për kandidatët dhe përfaqësuesit politikë që të shmangin deklaratat me përmbajtje elektorale.

“Kandidatët të evitojnë deklarimet e tyre me përmbajtje elektorale. Kandidatët nuk kanë asnjë arsye ligjore për të shkuar brenda qendrave të votimit. Aty janë vëzhguesit, është media, janë komisionerët. Votimi familjar gjithashtu përbën shkelje. Ky është një problem, sa të kemi mundësi do ta adresojmë”.

Ndër të tjera ka thënë se procesi po shkon mirë dhe nuk ka problematika me pajisjen e identifikimit elektronik.

“Ka pasur incidente të vogla që janë normale. Krahasuar me 14 majin, procesi është duke u zhvilluar qetë. Ka pasur debate mes komisionerëve, por që nuk kanë krijuar impakt negativ. E rëndësishme të thuhet që nuk ka pasur probleme për përdorimin e pajisjes elektronike identifikuese”.

Zgjedhjet në Rrogozhinë po ripërsëriten pas shpalljes së atyre fillestare si të pavlefshme nga Kolegji Zgjedhor Gjyqësor.

Dy përfaqësuesit e kampeve politike janë sërish të njëjtët me garën e 14 majit: Edison Memolla nga Partia Socialiste dhe Shkëlqim Hysa nga koalicioni opozitar Bashkë Fitojmë.

Pas votimit gjatë ditës sotme Shkëlqim Hoxha u bëri thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në zgjedhje.

“Të vijnë sa më shumë në votime të votojnë në mënyrë të lirë dhe demokratike dhe të bëjnë zgjedhjen e tyre më të mirë. Do të ketë edhe më shumë se herën e parë”, tha Hoxha.

Akuzat e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj kundrejt Hoxhës se po bën pazare për zgjedhjet, i quajti mashtrime të tij.

“E kam sqaruar janë mashtrime të pastra të Erion Veliajt! Erioni është mësuar me fiq dhe me demagogji, por nuk i ec në Rrogozhinë. Në Rrogozhinë do të marrë përgjigjen që nuk i dha Belind Këlliçi në Tiranë”.

Nga ana tjetër Memolla tha se procesi po shkon shumë mirë.

“Ftoj të gjithë qytetarët të votojnë kandidatin më të mirë. Nuk rrezikojmë aspak, pasi kemi punuar. Nuk merrem me kundërshtarin merrem vetëm me veten time”.

Zgjedhjet në Rrogozhinë po ripërsëriten pas shpalljes së atyre fillestare si të pavlefshme nga Kolegji Zgjedhor Gjyqësor, shkruan AP.

Dy përfaqësuesit e kampeve politike janë sërish të njëjtët me garën e 14 majit: Edison Memolla nga Partia Socialiste dhe Shkëlqim Hysa nga koalicioni opozitar Bashkë Fitojmë.

Kujtojmë se formati i zgjedhjeve ndryshon këtë herë, duke lënë jashtë procesit edhe faktorin përcaktues të 14 majit – Burgun e Rrogozhinës.

Ishte pikërisht kutia e institucionit të vuajtjes së dënimit, ajo e cila i dha fitoren në frymën e fundit Memollës nga ana e socialistëve.