Debati që ndodhi para dy ditësh në emisionin “Pressing”, ka marrë përmasa të mëdha duke u komentuar nga të gjithë.

Por përballja e deputetit të PSD-së, Dardan Molliqajt me atë të VV-së, Haki Abazit, nuk përfundoi në studio. Pas përfundimit të emisionit, u raportua se kishte një përleshje në mes tyre, për të cilën u intervistuan nga policia.

Sulmit fizik i paraprin ofendimet dhe fyerjet personale që dy deputetët ia drejtuan njëri tjetrit, e në mesin e tyre edhe gjuha seksiste që e përdori Dardan Molliqaj.

E gjithë kjo filloi kur Molliqaj ishte duke thënë “Sa i përket dhimtës që e ka Hakia dhe të tjerët…”, dhe u ndërpre menjëherë nga deputeti i VV-së, i cili theksoi “Hakiu, jo Hakia, e gjinisë femrore është ajo”.

Kurse Molliqaj e arsyetoi vetën duke thënë se Abazi ngjason me një grua për shkak të komplekseve.

“Je edhe pak si femër, çka me të bo. E ki kompleksin qe je i vogël, skuqesh çka me të bo le këtë punë. Duhna me kërku falje publikisht që e bona një gabim në raport me gratë. Po kërkoj falje publikisht ishte një gabimi i imi, jo ndaj teje po ndaj tyne, jo ndaj Hakisë”.

Gjuha diskriminuese e Dardan Molliqajt bëri që të reagoj Rrjeti i Grave të Kosovës.

“Ne dënojmë gjuhën seksiste të përdorur nga cilido politikan që synon të përfaqësojë qytetarin në Kuvendin e Kosovës, si dhe kujtojmë që kjo gjuhë diskriminuese dëmton procesin zgjedhor, i cili duhet të jetë i barabartë për të gjithë”, ka thënë nga RrGK, për Ballkani.info.

Po ashtu ky rrjet ka kërkuar nga partitë politike që të mos kontribuojnë edhe më tepër në rritjen e hendekut të pabarazive gjinore në Kosovë, por në vend të kësaj të shfaqin përkushtim për arritjen e barazisë gjinore në një vend ku gratë dhe vajzat përballen çdo ditë me diskriminim dhe pabarazi.

Kjo organizatë nuk e pranon që politikanët ta përdorin termin “grua”, kur përfaqesohen tipare jo të mira.

“Është e papranueshme që politikanët ta përdorin termin “grua” si personifikimin të tipareve jo të mira, kurse mendësia patriarkale e cila shpërfaqet në këso raste nuk ka vend në zgjedhje demokratike të një shteti i cili me ngulm aspiron t’i bashkohet shteteve perëndimore në Bashkimin Evropian”, ka deklaruar ky rrjet i grave për Ballakni.info.

Përveç RrGK-së, reagime të shumta pati edhe nga personat e tjerë publikë. Në mes e atyre që reaguan ishte edhe analisti dhe profesori universitar Milazim Krasniqi.

Profesori Krasniqi përmes një postimi në Facebook u ka bërë thirrje politikanëve që të mos i përmendin gratë në asnjë kontekst.

Madje sipas Krasniqit, politikanët kanë ndotur komunikimin politik e mediatik duke shkelur kodin etik, obligimin fetar dhe standardin e demokracisë e lirisë./Valona Hasani-Ballkani.info/

loading…