Rritja enorme e çmimeve, deklarohet Kurti

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se është evidente rritja e çmimeve, por jo vetëm në Kosovë. Sipas tij, çmimet janë rritur globalisht dhe qeveria e tij po përpiqet të marrë masa.

Sipas tij, Qeveria është përpjekur që të parandalojë presionet inflacionare të brendshme.

“Është evidente se kemi rritje të çmimeve. Ligji themelor ekonomik i ofertës dhe kërkesës luan rol për çmimet ndërkombëtare. Ukraina ka eksportuar miell dhe vaj në botë. Lufta atje ka shkaktuar ulje të furnizimit. Kjo ulje e ofertës, krahas edhe rritjes së kërkesës, natyrshëm ka ndikuar në rritjen e çmimeve të naftës dhe produkteve të tjera esenciale. Kosova nuk është e vetmja”, ka deklaruar në Kuvend ai.

Kurti është lavdëruar për ndarjen e mjeteve financiare prej 100 eurove për disa kategori sociale.

Sipas tij, kjo ndihmë “është dëgjuar për herë të parë dora e shtetit”.

Po ashtu, shefi i ekzekutivit ka përmendur edhe lëkundjet në rritjet e çmimeve nga ana e tregtarëve, të cilët i ka quajtur manipulantë.