Rritja e pagës edhe ndërtimi i shkollave e bëri Estoninë shtetin me arsimin më të zhvilluar

Estonia është renditur ndër shtetet e para me performancën më të mirë, në testin më të fundit global të OECD-së për 15-vjeçarët në matematikë, shkencë dhe lexim, i njohur si testi PISA.

Vala Afshar, në një postim në rrjetin social “Twitter”, ka shpërndarë një video ku tregohet shkollimi i nxënësve në Estoni.

“Estonia ka një nga programet më të mira arsimore në botë dhe fëmijët më të zgjuar”, ka shkruar ai, përcjell Demokracia.com.

Ajo që vlerësohet se e ka bërë të zhvilluar sistemin e arsimit në Estoni janë edhe pagat e larta të mësuesve.

Estonia rishikoi pagat e mësuesve të saj dhe arriti në përfundimin se do të duhej të siguronte stimuj më të fortë financiarë për një sistem të arsimit të më zhvilluar.

Pagat e mësuesve atje janë rritur me rreth 40 për qind nga viti 2016 në 2020 dhe Ministri i Arsimit këtë vit u zotua t’i rrisë pagat në 120 për qind të pagës mesatare në Estoni deri në vitin 2023.

Nga ana tjetër, Kosova në testin PISA ka dalë çdoherë në fund të listës. Duke treguar kështu një performacë jo të mirë.

Vendi është duke u përballur tani me greva në arsim, pasi që mësimdhënësit janë duke kërkuar shtesa prej 100 eurove, derisa Qeveria të miratojë Ligjin e Pagave. Kjo e fundit ka ofruar vetëm 50 euro për mësimdhënësit.

Për shkak të mos gjetjes së gjuhës së përbashkët, greva në arsim është duke hyrë në javën e katërt./Demokracia.com/