Rritja e çmimit të gazit në Evropë përshpejtohet teksa Rusia pakëson furnizimet

Çmimet e gazit në Evropë u rritën më tej të mërkurën pasi Rusia vijoi kërcënimin e saj për të bërë shkurtime të mëtejshme në furnizimet me gaz në rajon.

Çmimet e gazit u rritën me 12% ditën e sotme dhe janë shtrenjtuar me më shumë se një të tretën këtë javë, ndërkohë Evropa përpiqet të mbushë vendet e depozitimit të gazit përpara dimrit.

Kontrata standarde evropiane TTF ka arritur në 220 euro për megavat orë, duke shënuar një rekord të ri, që tejkalon kulmin e mëparshëm të rritjes së menjëhershme pas pushtimit rus të Ukrainës.

Vala e rritjeve i ka ngritur çmimet e gazit me rreth 10 herë nga niveli i mëparshëm që nga fillimi i presioneve mbi furnizimet nga ana e Rusisë vitin e kaluar

Gascade, operatori gjerman i rrjetit të gazit, tha se furnizimet në Nord Stream 1 ishin përgjysmuar në 20 % të kapacitetit që nga mëngjesi i së mërkurës.

Tubacioni kryesor, i cili lidh Rusinë me Gjermaninë, u tkurr fillimisht në 40 % të kapacitetit në qershor, duke bërë që politikanët evropianë të akuzojnë Rusinë se po përdor furnizimet me gaz si hakmarrje për sanksionet e vendosura pas pushtimit të Ukrainës.

Rusia fajësoi reduktimin e flukseve në Nord Stream 1 për problemet me turbinat pasi ishin përkeqësuar nga sanksionet perëndimore. Por Kompania shtetërore e eksportit të gazit, Gazprom, nuk ka bërë asnjë përpjekje për të zëvendësuar mungesën në rrugë alternative.

BE-ja është përpjekur të reduktojë varësinë nga gazi rus, i cili përbënte rreth 40 % të furnizimeve të bllokut përpara pushtimit të Ukrainës. Ajo u ka kërkuar gjithashtu anëtarëve këtë javë që të bëjnë shkurtime të kërkesës, për të reduktuar konsumin me 15% për të ndihmuar në magazinimin e gazit përpara dimrit.

Por ekziston mundësia që industritë dhe familjet mund të përballen me racione ose mungesa këtë dimër nëse Rusia do të bëjë shkurtime të mëtejshme të furnizimeve, transmeton Monitor.al.

Analistët në Goldman Sachs thanë këtë javë se kërkesa duhet të reflektojë çmimet “për të ndihmuar në kompensimin e humbjeve të mëdha të ofertës”.

Eni, kompania italiane e energjisë, tha se ishte njoftuar nga Gazprom se do të merrte 27 milionë metra kub gaz të mërkurën, 20 % më pak nga 34 milionë që kishte marrë ditët e fundit.

Në muajt e fundit, Italia ka reduktuar varësinë nga gazi rus, nga rreth 40 % e totalit të importeve të gazit në afërsisht 25 % , me një rritje të madhe të importeve nga Algjeria – e cila tani është furnizuesi i vetëm më i madh i Italisë.

Javën e kaluar Mario Draghi, në një fjalim në Parlamentin e Italisë para se të jepte dorëheqjen si kryeministër, tha se “varësia e papranueshme energjetike” e vendit nga Rusia ishte “pasojë e dekadave të zgjedhjeve dritëshkurtër dhe të rrezikshme”.

Draghi tha se shpresonte se Italia do të ishte në një pozicion për të ndaluar tërësisht importin e gazit nga Rusia brenda 18 muajve të ardhshëm./FT