Ish Kryetari i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka reaguar ndaj rritjes së çmimeve të produkteve të përditshme në vend, duke theksuar se kostoja e jetesës në Kosovë po bëhet më e lartë se në disa shtete të Bashkimit Evropian.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Tahiri është shprehur se çdo ditë qytetarët po përballen me shtrenjtim të produkteve bazike, përfshirë qumështin, derivatet e qumështit, frutat dhe artikuj të tjerë ushqimorë.
Sipas tij, çmimet e këtyre produkteve janë “më të larta se në Zvicër, Gjermani, Itali apo Francë”, ndërsa pagat në Kosovë mbeten ndër më të ulëtat në rajon.
“Në Kosovë, me këtë qeveri, duket se të vetmet gjëra të lira kanë mbetur pagat,” ka deklaruar Tahiri, duke shtuar se pesë vitet e fundit janë karakterizuar nga “fjalë, përralla dhe premtime”.
Deklarimet e tij vijnë në kohën kur inflacioni dhe rritja e kostos së jetesës vazhdojnë të jenë ndër shqetësimet kryesore të qytetarëve dhe bizneseve në vend.







