Rritet numri i rasteve me COVID 19, IKSHPK thirrje qytetarëve

1 mijë e 840 persona kanë vdekur nga koronavirusi në Kosovë që nga marsi i vitit të kaluar.

Ndërkohë nga ky virus janë infektuar 87 mijë e 981 njerëz.

Vetëm në 24 orëshin e fundit janë regjistruar 10 raste të vdekjes dhe 914 raste pozitive.

IKSHPK ka dalë me thirrje për qytetarët që të zbatohen masat.

“IKSHPK përsërit thirrjen për zbatimin e të gjitha masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19.Masat parandaluese janë të njëjta me aksent të veçantë se personat pozitiv duhet të qëndrojnë në shtëpi për të parandaluar përhapjen në familje dhe në komunitet. Me zvogëlimin e kontakteve, do ta bëjmë të mundur ndërprerjen e përhapjes së infeksionit”, shkruhet në raport.

Këto janë të dhënat e publikuara nga Instituti i Shëndetit Publik të Kosovës.

Raporti i fundit i IKSHPK-së:

Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, si dhe laboratoret publike dhe private me metodën RAT, janë testuar gjithsej 4.733 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 914 raste pozitive.

Brenda 24 orëve janë raportuar 10 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Prishtinë 5 raste (86, 85, 84, 62 59 vjeç), Gjakovë 1 rast (84 vjeç), Podujevë 1 rast (72 vjeç), Prizren 1 rast (83 vjeç), Suharekë 1 rast (84 vjeç), Vushtrri 1 rast (83 vjeç).

Numri total i rasteve pozitive është 87.981 raste nga 414.902 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.840 raste të vdekjes.

Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 602 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 72.415 raste, kurse numri i rasteve aktive është 13.726.