Deficiti tregtar ka shënuar rritje muajin nëntor të vitit 2023, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit 2022.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) nga Tregtia e Jashtme e Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 28,8% në muajin nëntor 2023, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2022, gjegjësisht në vlerë prej 517,3 milionë Euro, krahasuar me deficitin prej 401,5 milionë Euro në vitin 2022. Eksporti mbulon importin me vetëm 12,9%.

Eksporti i mallrave në muajin nëntor 2023 kishte vlerën 76,5 milionë Euro, ndërsa importi 593,8 milion Euro, që është një rritje prej 3,4% për eksport, si dhe një rritje prej 24,9% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022, raporton Ballkani.info.

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 23,4% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 17,2% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 13,9% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 10,7% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 3,0% e përbëjnë produktet minerale, etj.

Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 12,7% e përbëjnë produktet minerale; 10,6% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 10,3% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 10,1% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 8,8% e përbëjnë mjetet e transportit; 6,2% e përbëjnë produktet e industrisë kimike; 4,8% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre, etj.

Eksportet dhe importet e Kosovës me vendet e BE-së

Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 29,3 milion Euro, ose rreth 38,3% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 14,5%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania (11,0%), Austria (6,6%) Italia (5,1%), Holanda (3,4%), etj.

Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 228,1 milion Euro, ose 38,4% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 11,3%. Importet me pjesëmarrje me të lartë ishin nga: Gjermania (11,1%), Greqia (6,2%), Italia (4,3%), etj.

Eksportet dhe importet e Kosovës me vendet e CEFTA-s

Eksportet e Kosovës me vendet CEFTA-s arritën në 27,7 milion Euro, ose 36,2% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 5,5%. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Maqedonia e Veriut (12,9%), Shqipëria (12,4%), Serbia (4,9%), Mali i Zi (4,6%).

Importet e Kosovës nga vendet e CEFTA-s arritën në 76,0 milion Euro, ose 12,8% të importeve të përgjithshme, me një rënie prej (-12,1%). Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Shqipëria (5,2%), Maqedonia e Veriut (4,6%), Serbia (1,9%), raporton Ballkani.info.

Eksportet dhe importet e Kosovës me vendet e tjera të botës

Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 29,6 milion Euro, ose 25,6%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport ishin: SHBA (10,5%) dhe  Zvicra (8,8%).

Importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 289,7 milion Euro, ose 48,8%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (24,7%) dhe Kina (11,4%)./Ballkani.info

BONUS VIDEO: Koeficienti 110 | Jasharaj mësimdhënësit do të marrin vetëm 28 euro më shumë