Gjykata Themelore

“Rri serioz, nuk ka asgjë me kesh”, gjykatësi ia tërheq vërejtjen Xhavit Halitit në seancë

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës, sot ka vazhduar gjykimi në rastin ku deputeti Xhavit Haliti akuzohet për sulm ndaj kolegut të tij, Arben Gashit.

Gjatë seancës, gjykatësi Driton Berisha, ia ka tërhequr vërejtjen Halitit, meqë i njëjti është parë duke qeshur pasi gjyqtari e pyeti se “çka punon”.

Të lutem rri serioz, nuk ka asgja me kesh” – i thoshte gjykatësi në disa momente të akuzuarit, ish-deputetit nga radhët e PDK-së, siç raporton Kallxo.com.

Haliti tha se me Arben Gashin nuk kishin pasur kurrfarë të keqe, e që babanë e tij e kishte pasur shok.

“Kurrfarë të keqe nuk kemi pasur, babanë e tij e kam pasur shok e jemi fqinj. I kemi fshatrat afër” – tha i akuzuari Haliti në seancë.

Ai shtoi se nuk kishte qenë diçka e planifikuar ajo që kishte ndodhur dhe nuk kishte pasur qëllim që ta godiste atë.

Në këtë seancë, në Gjykatën e Prishtinës, u dëgjua në cilësinë e dëshmitarit edhe i dëmtuari në këtë rast, Arben Gashi.

Ai rrëfeu para gjykatës ngjarjen e 18 majit 2018, kur sipas prokurorisë ishte shtyer me krah dhe bërryl në gjoks nga i akuzuari Xhavit Haliti në Kuvendin e Kosovës.

“Nëse nuk gaboj kemi qenë në pritje për të votuar për një anëtar të Gjykatës Kushtetuese. Aty bëhet radhë gjatë procesit të votimit. Nënshkruhet secili deputet, merret një fletë e votimit, shkohet në kabinën e improvizuar dhe kthehet fleta në kuti. Unë kam qenë duke pritë në radhë për të nënshkruar”- rrëfu Gashi para gjykatës.

Tutje, ai tha se Xhavit Haliti ishte përlasur në të në formë të shtyrjes dhe i kishte thënë “lëshoma rrugën”.

Kurse, Xhavit Haliti për këtë rast i tha gjykatës se kishte pasur edhe raste tjera të përleshjeve ku vetë kishte qenë “viktimë” nga deputetët tjerë.

“Gani Geci më ka goditur boks në koridorin e Kuvendit në prezencë të deputetëve e të policëve. Kërkush s’ka ardh mem vet për atë punë, qysh ke puna” – tha ai para gjykatës.

BONUS VIDEO: Cameron: Do vazhdojmë t’i ndihmojmë Kosovës në të gjitha mënyrat, edhe për njohje të reja