Rrëzohet kërkesa e Berishës për regjistrim në zgjedhje, KQZ i jep PD-së zyrtare 48 orë kohë për plotësim dokumentacioni

Komisioni Qendror i Zgjedhor në Shqipëri ka shqyrtuar sot dy kërkesa të ndryshme për regjistrimin e Partinë Demokratike në zgjedhjet vendore të 14 majit.

Komisoneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi arsyetoi se i vetmi subjekt politik që njihet nga gjykata dhe që ka të drejtë të regjistrohet është PD e drejtuar nga Lulzim Basha me përfaqësues ligjor Indrit Sefa.

Me këtë arsyetim ai e ka hedhur poshtë kërkesën e ish-kryeministrit, Sali Berisha për tu regjistruar në zgjedhje nën logon e PD-së.

Në anën tjetër, Celibashi sqaroi se edhe PD e njohur zyrtarisht nuk mund të regjistrohet në zgjedhje sepse nuk ka dokumentacion të plotë.

Ai i ka dhënë 48 orë kohë PD-së me drejtues Lulzim Bashën që të plotësojë dokumentacionin.

“Mendoj që të drejtën për të kërkuar regjistrimin e Partisë Demokratike si subjekt zgjedhor për zgjedhjet e 14 majit 2023, bazuar në dokumentet zyrtare e ka zoti Lulzim Basha. Ai figuron kryetar i PD-së në pikëpamje të ligjit. Vijmë te diskutimi tjetër në lidhje me legjitimitetin e kësaj kërkese. Nga vlerësimi që i kemi bërë këtij dokumentacioni, do duhej që sipas ligjit, kërkesa të paraqitej nga kryetari i PD-së, zoti Lulzim Basha”, tha Celibashi.

“Në vlerësimin që i kemi bërë dokumentit autorizues, të zotit Basha për zotin Sefa, unë vlerësoj që ky dokumentacion nuk është i plotë me parashikimet e Kodit Zgjedhor. Besoj se është e qartë që dokumentacioni autorizues duhet të jetë në përputhje me parashikimet e nenit 64 të Kodit Zgjedhor. Sipas vlerësimit tim, duhet që akti autorizues të jetë i qartë. Do t’ju jap 48 orë kohë për të bërë plotësimet e kërkuara, domosdoshmërisht për deklaratën e kryetarit të partisë politike”, theksoi Celibashi.