Rrëzimi i rezolutë së Srebrenicës, Meta: Tejet zhgënjyes votimi kundër i mazhorancës

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta ka shprehur zhgënjimin për rrëzimin e rezolutës së paraqitur në Kuvend për njohjen dhe dënimin e gjenocidit të serbëve të Bosnje-Hercegovinës në Srebrenicë.

Meta në një postim në rrjetin social “Facebook”, ka shkruar se seanca e sotme e Kuvendit të Shqipërisë, sipas tij, do të duhet të shprehte me solemnitet dhe vendosmëri të plotë vullnetin e patjetërsueshëm të popullit shqiptar kundër gjenocidit në Srebrenicë.

Postimi i plotë:

Tejet zhgënjyes votimi KUNDËR i mazhorancës ndaj projekt-rezolutës së paraqitur në Kuvendin e Shqipërisë për njohjen dhe dënimin e gjenocidit të serbëve të Bosnje-Hercegovinës në Srebrenicë në korrik të 1995.

Në kushtet e agresionit të paprovokuar dhe të pajustifikueshëm rus kundër Ukrainës, dhe kur në rajonin tonë vërehen përpjekje të shtuara për të mohuar gjenocidin serb në Srebrenicë dhe për të glorifikuar kriminelët e luftës, seanca e sotme e Kuvendit të Shqipërisë do të duhet të shprehte me solemnitet dhe vendosmëri të plotë vullnetin e patjetërsueshëm të popullit shqiptar kundër gjenocidit barbar, që mori jetët e 8372 njerëzve në Srebrenicë.

Jam tejet i keqardhur që deputetë të Kuvendit të Shqipërisë shtrembërojnë në mënyrë të pamerituar dhe nuk përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve shqiptarë, të cilët e kanë treguar me vepra se janë kundër spastrimeve etnike, dhe në mbrojtje të lirisë dhe dinjitetit njerëzor.