Rreth orës 14:00 të ditës sotme ka ndodhur një ngjarje e rëndë në qendrën e skijimit në Brezovicë.

Arian Daci, zëvendësministër i Diasporës, njëherësh i biri i kryetarit të Akademisë së Shkencave të Kosovës, Nexhat Daci, derisa ishte duke skijuar bashkë me një grup skiatorësh, ka mbetur i vdekur si pasojë e një orteku të rënë në vendin e quajtur “Foleja e Shqiponjës”.

Bashkë me të ndjerin Daci, ka qenë edhe Ardian Bakalli, i cili po ashtu ka mbetur i ngujuar nga orteku, por që për fat të mirë, ka shpëtuar. Ai është në gjendje të mirë shëndetësore.

Po çka është orteku dhe si formohet ai? Ballkani.info ju sjellë informacione rreth orteqeve dhe si krijohen ata.

Orteku ose Reshpja është grumbull i madh bore, që shkëputet nga malet e larta, rrokulliset teposhtë dhe sa vete e bëhet më i madh, duke shkatërruar ç’gjen përpara.

Orteqet janë dukuri natyrore, të rrezikshme për mjedisin. Në trojet shqiptare, hasen zona të ndryshme, me raste të orteqeve, që kanë shkaktuar rreziqe të mëdha. Bora e maleve shqiptare, është e bukur dhe mbresëlënëse, por kur bie në sasi të mëdha, ka pasoja.

Shpërthimet e orteqeve, janë dukuri mekanike, kur masa të mëdha, shkëputen, shformohen nga trysnia, forca e rëndesës, shkrirja etj. Studimet tregojnë, se parametrat mekanikë të borës ndryshojnë. Vetitë mekanike, të një shtrese bore, bëhen shkak për rënien e orteqeve. Rrëzimi i borës, mund të bëhet në pjerrësi të ndryshme dhe kjo varet nga shtresat e borës, lagështia, trysnia, era, thyerja e drurëve etj. Të tjerë faktorë janë: struktura e borës, trashësia dhe dendësia e saj, karakteri i tabanit në të cilën rrëshqet bora. Ky taban mund të jetë borë e vjetër, e ngrirë, e lagësht, apo dhe shkëmbore.

Mbulesa bimore, pyjet, shkurret, relievi i butë, ndikojnë në frenimin e orteqeve. Era është faktor i rëndësishëm i shkakut të orteqeve, sepse ajo sjell shpërndarjen jo të njëtrajtshme të reshjeve, të kristaleve të dëborës. Kur prishet ekuilibri, shkaktohet orteku. Orteqet e dëborës së ngjeshur, kanë formën e një pllake të ngurtësuar.

Lëvizja krijohet, nga thyerja e pemëve, kalimit të ndonjë kolone që nuk e njeh gjendjen. Po të jetë forma e relievit është konvekse, kjo e shtyn mundësinë e krijimit. Kur orteqet bien në pranverë, shkak bëhet shkrirja dhe rrezatimi diellor.

Po kështu, uji që formohet nga shkrirja apo shirat grumbullohen nën shtresën e saj dhe aty krijohen kushtet rrëshqitëse. Vendi ynë ka reliev tipik për krijimin e orteqeve. Gjeografia e orteqeve, pak a shumë është e njohur. Kosova dhe Shqipëria, ku përfshihen Alpet Shqiptare, Malet e Sharrit, pastaj rrethet Shkodër, Bajram Curri, Kukës, Dibër, Pukë, e ndonjëherë Mat dhe Tiranë.

Nga përvoja e viteve të fundit, ku ka pasur dimra të ashpër dhe më shumë borë prania e orteqeve ka shkaktuar dëme shumë të mëdha.

Një formë ndryshe nga erozioni i akullnajave, e cila gjithashtu shkaktohet nga grumbullimi i borës, është erozioni i ortekëve të borës. Këta janë masa të mëdha bore, të cilat nga viset e larta malore lëshohen përgjatë luginave, duke marrë me vete vegjetacion dhe material shkëmbor. Atje ku erozioni mund të jetë i madh, ata pas vetes lënënjë terren të zhveshur. Ortekët ndodhin atëherë një sasi shumë e madhe e borës grumbullohet në një terren të rrëpirët, veçanërisht nëse gjendet mbi një shtresë me dendësi të ndryshme, në tëcilën vjen deri te baraspesha jo e qëndrueshme dhe e cila shërben si një rrafsh rrëshqitjeje.