Rreth 4 mijë mësimdhënës në Shqipëri iu nënshtruan testimit kualifikues

Rreth 4 mijë mësimdhënës të arsimit parauniversitar në Shqipëri kanë zhvilluar të shtunën testimin e kualifikimit. Në këtë provim të drejtë pjesëmarrjeje patën arsimtarët që deri në fund të dhjetorit të 2020-s kishin mbushur të paktën 5 vjet punë për të marrë titullin “mësues i kualifikuar”, ndërsa ata me eksperiencë 10-vjeçare për kategorinë “mësues specialist dhe ata me mbi 20-vjeçare për t’u kualifikuar si “mësues mjeshtër”.

Siç njofton Topchannel, pas dy javësh mësimdhënësit do të mësojnë notat. Në bazë të pikëve të dosjeve që kanë dorëzuar si dhe testit, mësimdhënësit do vlerësohen me shkëlqyer, shumë mirë, mirë dhe dobët. Mësuesit me rezultat të pamjaftueshëm nuk do penalizohen, por vetëm s’do kualifikohen dhe mund ta përsërisin testin deri në tre herë.

Një test i tillë është i përvitshëm dhe pjesëmarrja nuk është obligative.

Një testim i mundshëm i mësimdhënësve është diskutuar të zhvillohet edhe në Kosovë mirëpo këtë me ngulm e kanë kundërshtuar përfaqësuesit e Sindikatës së Arsimit – SBASHK, duke thënë se nuk lejojnë të mbahet çfarëdo testimi.