Rreth 1300 persona u karantinuan në konvikte për dy muaj: Aktualisht ka vend edhe për 360

Pesë ditë pas konfirmimit të dy rasteve të para me COVID-19 në Kosovë, Qendra e Studentëve u shpall karantinë. Prej atëherë e deri sot, në konvikte janë karantinuar rreth 1 mijë e 300 persona, të cilët janë kthyer prej vendeve të huaja. Për numrin e personave që gjenden në këtë qendër aktualisht dhe kapacitetin e konvikteve, ka dhënë detaje Drejtori Fatmir Sfishta.

Konviktet e studentëve janë kthyer në strehë për shtetasit kosovarë që janë kthyer nga vendet e huaja në dy muajt e fundit, shkaku i pandemisë.

Nga 18 marsi, kur edhe është lëshuar Qendra e Studentëve për karantinë, janë vendosur mbi 1 mijë të kthyer, përjashtuar të moshuarit e ata me probleme shëndetësore.

Drejtori i Qendrës së Studentëve, Fatmir Sfishta i ka thënë Gazetës Express se aktualisht në konvikte janë të vendosur 63 persona.

Sipas Sfishtës, kapacitetet në konvikte janë edhe për rreth 360 persona.

“Aktualisht në karantinë në Qendrën e Studentëve janë të vendosur 63 persona me vendim të Qeverisë. Në konvikte mund të vendosen rreth 360 persona”, ka treguar Sfishta.

Sipas të parit të konvikteve, që prej vendimit të Qeverisë së Kosovës për shndërrimin e konvikteve në karantinë, aty janë strehuar mbi 1 mijë persona, të cilët në fillim kanë qëndruar aty për 14 ditë.

Në javët e fundit, koha e qëndrimit në karantinë është shkurtuar për shtatë ditë.

“Që nga momenti i shndërrimit të Qendrës së Studentëve në kanrantinë deri më tani janë vendosur 1300 persona”, thuhet në përgjigjet e Sfishtës për Express.

Ndërkohë, që nga fillimi i pandemisë, numri i qytetarëve që kanë kërkuar kthim në Kosovë ka qenë shumë i lartë.

Alban Zogaj, Shef i Kabinetit të Minsitrit Lumir Abdixhiku, i ka thënë Gazetës Express javën e kaluar, se kanë pranuar mbi 2 mijë kërkesa për kthim.

Sipas tij, kërkesat kanë qenë kryesisht prej vendeve evropiane, por edhe prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Për kthimin e qytetarëve që kanë mbetur të ngujuar jashtë vendit gjatë pandemisë, është deklaruar edhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca.

Konjufca ka thënë se deri tani kanë arritur që t’i kthejnë rreth 1 mijë e 500 persona.

“Deri tash kemi arritur që t’i kthejmë më shumë se gjysmën e atyre që kanë kërkuar të kthehen. Natyrisht se kemi kërkuar që të kthehen më shumë se që kemi mundur t’i kthejmë, mirëpo duhet ta keni parasysh që numri i të kthyerve është vendosur në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe IKSHP’në”, tha Konjufca.

Ai ka premtuar se deri në fillim të qershorit do t’i kthejnë edhe 740 persona.

“Deri në fund të majit e në fillim të qershorit ne zotohemi që do t’i kthejmë edhe 740 persona, të cilët kanë mbetur jashtë vendit për arsye të ndryshme”, deklaroi ai.

Ndryshe, para rreth dy javësh në Qendrën e Studentëve ka vdekur 26-vjeçari, Agon Musliu.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka filluar ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore për zbardhjen e plotë të vdekjes së tij.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se ka filluar ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore për zbardhjen e plotë të vdekjes së 26 vjeçarit në Qendrën e Studentëve në Prishtinë”, thuhej në njoftim.

Babai i 26-vjeçarit, Naim Musliu ka deklaruar se djali i tij ka pasur probleme shëndetësore, e se fajtor për atë se çka ka ndodhur janë kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe u.d. i ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Pas këtij rasti, Ministri i Shëndetësië, Arben Vitia ka thënë se personalisht e ka menduar dorëheqjen.

“Si Arben Vitia qysh mbëmë kur e kam marrë lajmin, kam menduar dorëheqjen. Edhe në momentin kur po flas, si Arben Vitia, po e mendoj një gjë të tillë. Por po flas si ministër i Shëndetësisë që kam përgjegjësi shumëdimensionale, e një nga dimensionet do të jetë zbardhja e këtij rasti”, ka deklaruar ai.

Ai ka bërë thirrje nga çdo institucion të kryejë hetime.

“Ne do të bëjmë thirrje të bëhen hetime nga drejtësia, por edhe hetim parlamentar”, ka thënë Vitia para gazetarëve.