Francë

Rrëmujë në dhomat e zhveshjes, mbrojtësi francez sulmon fizikisht trajnerin

Montpellier dhe Mamadou Sakho ndahen pas përplasjes së ashpër mes mbrojtësit dhe trajnerit Michel Der Zakarian.

“Pas 10 ditësh reflektim, të dyja palët kanë rënë dakord për të ndërprerë marrëdhënien kontraktuale mes tyre”,- ka shpjeguar klubi në një deklaratë, duke sqaruar çështjen që ka shkaktuar shumë zhurmë në Francë. Sipas disa dëshmitarëve, mbrojtësi dhe trajneri kanë pasur një debat të ashpër në dhomat e zhveshjes dhe disa lojtarë janë dashur të ndërhyjnë për t’i ndarë.

33-vjeçari i dha fund aventurës së tij me Montpellierin tetë muaj para përfundimit origjinal të kontratës: ai kishte nënshkruar për francezët në korrik 2021, pasi kishte luajtur më parë në Angli me Liverpool dhe Crystal Palace.

Ish-ndërkombëtari francez pranoi ndërprerjen e kontratës, por nuk pranoi të merrte përgjegjësinë për atë që ndodhi. “Duhet të dish të largohesh sa herë që ka mungesë respekti,”- shkroi Sakho në X.

“Pas incidentit të javës së kaluar në qendrën stërvitore, për të cilën nuk marr asnjë përgjegjësi, kam vendosur të ndërpres bashkëpunimin tim me Montpellier”,- shtoi mbrojtësi para se të shkojë të falënderojë shokët e tij dhe disa zyrtarë të lartë brenda klubit.