Rrëfimi për djaloshin Ilija Iviç nga Graçanica, që ka vendosur të luajë për Kosovën dhe tash e tri vjet mbron ngjyrat e Flamurtarit

Rrëfimi për Ilija Ivic është i veçantë, pasi djaloshi nga Graçanica ka vendosur t’i thyej paragjykimet dhe të jetë pjesë e futbollit të Kosovës.

Ky rrëfim është për një djalosh që udhëton çdo ditë nga qyteti i lindjes së tij për në Prishtinë për të luajtur te Flamurtari.

Ai këtë rrugë e bën tash e tri vite, me babanë e tij, pasi është ende i ri dhe ende nuk ka patentë shofer.

Ilija i mbron ngjyrat e Flamurtarit me dëshirë dhe këtë e ka nisur që nga grupmoshat e reja (pionier, kadet), e deri tani në ekipin e parë. Ai thotë se ndjehet si në shtëpi te klubi prishtinas.

“Kam filluar të luaj kur isha fëmijë në moshën 7 vjeçare, sikur fëmijët e tjerë, pra në Graçanicë, ku hapat e parë i mora aty”.

“Jam pjesë e Flamurtarit prej tri vitesh dhe ndihem si në shtëpinë time, më kanë pranuar të gjithë dhe gjithçka është mirë”, ka thënë fillimisht Iviç.

Ai pret që këtë sezon të debutojë me ekipin e parë të Flamurtarit, ku këtë janar së bashku me ekipin ishte në Turqi në fazën përgatitore.

“Normalisht që pres të inkuadrohem në ekipin e parë të Flamurtarit”, thotë ai.

Emri i tij u bë i njohur te futbolldashësit kosovarë, kur mori ftesë nga trajneri i Kosovës U19, Ramiz Krasniqi. Ai flet për ftesën dhe mungesën e tij.

“Për mua është një ndjenjë e mirë, sepse më është vlerësuar puna dhe kualiteti im, kjo më jep një shtytje akoma më të madhe për të vazhduar tutje”.

Ftesa e Ramiz Krasniqit për grumbullimin e Kosovës U19

“Ekziston një dozë (keqardhje), por për momentin rëndësi ka ekipi i parë se përfaqësuesja në këto momente”, ka thënë ai, duke shtuar se në të ardhmen do të bashkohet.

Trajneri Synaj Keqi flet për talentin e tij

Drejtimin e Flamurtarit tash e një kohë e ka Synaj Keqi. Ai flet për lojtarin e ftuar në ekipin e parë dhe talentin e tij.

“E kemi inkuadruar nga juniorët. E kemi marrë në ekipin e parë. Ai është edhe në kombëtaren U19 te Ramiz Krasniqi. Me 2 Korrikun e kemi inkuadruar ka luajtur 20-25 minuta. Mund të luajë në të gjithë krahun e majtë, pasi e ka këmbën e majtë të fortë”, ka thënë ai.

Ilija në ndeshjen Flamurtari – 2 Korriku e gjetur edhe golin e tij të parë.

Drejtori sportiv i Flamurtarit, Arbnor Morina: Ka kontratë profesionale me klubin

Arnbnor Morina thotë se e ka gjetur në klub, kur ka arritur në Flamurtar, ndërsa tregon që lojtari ka kontratë me klubin.

“Ilijan e kam gjetur këtu në klub. Ka qenë pjesë e pionierëve dhe kadetëve, kohë pas kohe luan në ekipin e juniorëve. Ka marr ftesë na Kosova dhe e ka pranuar me kënaqësi. Në grumbullimin e ardhëm do të jetë në aty”.

“Kemi kontratë profesionale me të. Pasi është i mitur e ka nënshkruar babai i tij. Trajnerë të cilët kanë punuar me të e kanë vlerësuar. Trajnerëve të shkollës dhe ekipit të parë iu besoj shumë dhe kur ata e kanë propozuar nuk kam pas asnjë dilemë që të ulemi e të bisedojmë që ai të jetë pjesë e Flamurtarit”, ka thënë Morina.

Ilija ka të drejtë të luajë edhe me junior dhe kadetë te Flamurtari. Ai punon çdo ditë dhe sakrificat i bën që një ditë të jetë pjesë e klubeve evropiane.

“Ëndrra më e madhe e imja është që të luaj në Ligën e Kampionëve dhe të jem pjesë e një ekipi të madh evropian”

“Barcelona është ekipi i preferuar”, ka thënë Ilic për Telegrafin.