Rrëfimi i dhimbshëm i ushtarit të UÇK-së: Ramush Haradinaj më mbuloi me trupin e tij për të më shpëtuar

Gjatë ditës së sotme bëri bujë deklarata e këshilltarit të kryeministrit Kurti, Hysamedin Feraj. Feraj në një deklaratë ka thënë se “Ramushi vazhdoi të ankohet pse Serbia nuk e ka vrarë Albin Kurtin në burg, pa dhënë përgjigje pse nuk e ka vrarë Ramushin gjatë luftës por vëllezërit e tij…’’.

Pas kësaj deklarate ishin të shumtë që kundërshtuan ashpër deklaratën e këshilltarit të kryeministrit, duke i dalë në mbrojtje, ish – Komandandit të Zonës së Dukagjinit, njëherësh ish – Kryeministër i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Pas kësaj deklarate, në rrjetet sociale ka filluar të aktualizohet një rrefim i bashkëluftëtarit të Ramush Haradinajt, Rafet Ramës, i cili në një emision televiziv pati treguar historinë e vrasjes së Luan Haradinajt, ku vetë Rama po në atë betejë është plagosur. Grupit prej 10 personave, të cilët kishin ardhur nga mërgata të bëheshin pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, iu kishte prirë Luan Haradinaj, i cili më 6 maj të vitit 1997 u vra nga ushtria serbe. Mirëpo, në këtë ballafaqim mes ushtrisë serbe dhe luftëtarëve të Kosovës, mbeti i plagosur edhe Rafet Rama.

Edhe pse ende nuk dihej se kush ka shpëtuar e kush jo nga breshëria e plumbave, ishte Ramush Haradinaj ai i cili iu afrua Rafet Ramës, për t’i ndihmuar, pasi që ishte i pari që ishte plagosur.

E vetë Rafet Rama tregoi se Ramush Haradinaj e kishte mbuluar atë me trupin e tij, që ta mbronte nga breshëria e plumbave që po kalonte mbi ta. “Ramushi erdhi drejt te unë, u hodh mbi mua që të më mbronte nga plumbat që vinin mbi ne. Atij i kërkova vetëm çantën e rëndë me armatim të ma largonte nga shpina dhe të mos sakrifikohej për mua. Me zor u largua nga unë, dhe pasi u largua diku 5 metra, e dëgjova zërin e tij që tha se edhe ai u plagos”, ka rrëfyer Rafet Rama.