Rrëfimi i dhimbshëm i të moshuarit në Shtëpinë e të moshuarve: Qe tri vjet nuk kam dalë në oborr pasi ndërruan liftin në objekt

Garip Sylejmani, banor i shtëpisë së të moshuarve ka treguar që tash e tri vjet nuk ka dalë në oborr për shkak të pamundësisë për të lëvizur.

Ai në emisionin SOT në KTV ka thënë se e kanë ndërruar liftin në të cilin nuk mund të hysh me karrocë, gjë që ia ka pamundësuar të dalë jashtë objektit.

Sylejmani ka thënë se fajtorë janë udhëheqësit e kësaj shtëpie pasi sipas tij, ata e dinë për kushtet porse nuk kanë intervenuar asgjë.

“Është shumë e vështirë me qëndru gjithë kohën në një vend, duhet me shiku vetëm nga dritarja, sikur me qenë në kafaz. Ata po e shikojnë interesin e vet, unë nuk kam mundur ta takojë ministrin. I lus të gjithë që të bëjnë presion ta adresojnë këtë çështje. Ka ardhur ish-ministri dhe e kanë thirrur televizionin publik, kanë kërkuar me më publiku në televizor, duke me më nxjerrë në oborr, por unë nuk kam pranuar për shkak se kanë dashur të më demantojnë. Unë kam kërkuar që ta bëjnë liftin më të madh”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se ka kërkuar vazhdimisht që të adresohet problemi i tij, porse kjo nuk ka ndodhur.

Sipas tij, ambienti që tashmë po e shfrytëzon i është shndërruar në burg shtëpiak.

Ai ka thënë se të vështirë e ka edhe pjesën e ushqimit, duke shtuar se përmes karrocës ushqimi pothuajse i bie i gjithë në dysheme.

“Unë këtu jam pothuajse më i vjetri banor”, ka thënë ai.