Rrëfen ngjarjen gjilanasi që dorëzoi në polici kuletën me 2 mijë euro

Valon Ramadani nga Gjilani, ka gjetur sot një portofol të mbushur me para në orët e hershme të mëngjesit në Prishtinë. Ai menjëherë portofolin e gjetur ua ka dorëzuar zyrtarëve policor të cilët ishin në detyrë në rrugën “Tringë Ismajli”.

Ramadani i cili punon si moler, në një rrëfim për Paparacin, ka treguar për dorëzimin e portofolit me para te Policia e Kosovës.

Ai ka thënë se në mëngjesin e së premtes, gjatë parkimit të makinës së punës, ka gjetur edhe portofolin me mbi 2 mijë euro. Mënjherë, pas gjetjes Ramadani tha se e ka telefonuar policinë.

“Unë punoj si moler, dhe jemi të komunës së Gjilanit dhe kemi me ardhë me punu këtu.E kam qua kerrin me parkuar makinën, edhe kur jam dal jashtë prej kerrit, i kam parë edhe kuletën në tokë e kam gjet dhe e kom marr kuletën dhe kam shkua me fol me at djalin e parkingut që e kam gjet kuletën. E kam lajmëruar rastin menjëherë, e kam thirr policinë. Policia ka ardhë ne vendin e ngjarjes e ka marr deklaratën time, e kanë marr kuletën me veti dhe ma kanë dërguar edhe ata një foto për mu tregu korrekt.

Tutje, ai ka thënë se gjatë ditë së sotme, pritet të takohet me personin të cilit i kishin humbur këto para.

“Pronar i kuletës tash më ka kontaktuar po ka qejf me u taku me mu, dhe tash jam tu hëngër bukë, dhe pas drekës kemi me u taku”.

Policia e Kosovës e ka çmuar këtë gjest human dhe ka falënderuar të gjithë qytetarët për bashkëpunim e vazhdueshëm.