Tahir Rrecaj, avokati i akredituar nga Gjykata Speciale, i cili ka mbrojtur ish-komandantin e UÇKNazif Mehmetin, i njohur si komandant “Dini”, ka bërë të ditur për “Zërin” se po i mbron edhe dy të ftuar nga kjo Gjykatë, emrat e të cilëve nuk ka dashur t’i bëjë publik, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
“I kam edhe dy klientë të tjerë që duhet të paraqiten në Zyrën e Prokurorit gjatë këtij muaji, por nuk do t’i bëj publik emrat e tyre. Kam pasur edhe të tjerë që janë intervistuar, por që opinioni nuk ka qenë i njoftuar, sepse ata nuk kanë dashur të jenë publikë”, ka potencuar ai.
Rrecaj ka theksuar se gjatë intervistimit të klientit të tij nuk ka vërejtur asnjë parregullsi.
“Unë nuk kam marrë pjesë në intervistim në Hagë në Dhomat e Prokurorisë së Specializuar, por intervistimi i klientit tim ka ndodhur në Kosovë. Intervistimi ka qenë jashtëzakonisht korrekt dhe nuk kam asnjë vërejtje në mënyrën e intervistimit, në formën e pyetjeve ose të udhëheqjes së procedurës. Mënyra e parashtrimit të pyetjeve, qasja, mundësia e përgatitjes së mbrojtjes janë në nivel të ligjeve të zbatueshme në Kosovë dhe në nivel të standardeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, ka thënë Rrecaj.







