Rrahmani (VV): Ne që agjërojmë e kemi një dozë shtesë të vetëbesimit dhe të durimit

Sot ka nisur edhe muaji i shenjtë i Ramazanit.

Gjatë këtyre 30 ditëve besimtarët myslimanë agjërojnë duke kujtuar sakrificat e të varfërve në mungesën e ushqimit.

Përpos qytetarëve të rëndomtë një numër i caktuar i atyre që agjërojnë vijnë edhe nga politika.

Njëri nga ta është edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Eman Rrahmani.

Rrahmani ka treguar në emisionin Info Magazine në Klan Kosova se agjërimin e ka filluar që nga mosha shtatë vjeçare.

“Unë kam filluar që ta agjërojë Ramazan, kështu ditë tek jo të tërë Ramazanin që nga mosha shtatë vjeçare. Kurse Ramazani i parë që e kam përfunduar 30 ditë sa i ka edhe ky muaj është nga mosha 12 vjeçare.Vij prej një familje fetare dhe kam mësuar kryesisht nga nëna dhe qysh nga atëherë kam vazhduar që ta përcjell edhe pasi kemi hyrë në politikë.Natyrisht kujtimet në muajin e Ramazanit janë kujtimet që nuk humbin asnjëherë”.

Ai shtoi se ka përjetuar momente interesante kur ishte agjërueshëm, duke kujtuar momentet kur pa dashje kishte ngrënë apo pirë.

“Ka momente të ndryshme madje edhe qesharake, kur ndodh edhe të gabojmë të hamë diçka apo të pijmë diçka Në fakt në fillim kur kemi filluar edhe të agjërojmë, kemi qenë në moshë më të re dhe ka qenë pak më vështirë për ne dhe atëherë ka ndodhur goxha shpesh.Kemi qenë duke luajtur me shokë. Unë kam luajtur basketboll në atë kohë dhe shpesh kam shkuar te shkolla dhe kam pirë ujë pa e ditur se jam agjërueshëm”.

Deputeti i Vetëvendosjes theksoi se ata që agjërojnë e kanë më të lehtë të përballen me sfidat e punës.

“Gjatë muajit të Ramzanit neve që agjërojmë e kemi shumë më të lehtë punën dhe angazhimin, sepse kemi një dozë shtesë edhe të vetëbesimit edhe të durimit dhe shkon edhe më mirë sesa jashtë muajit kur ne nuk jemi agjërueshëm”.

“Çdo herë gjatë muajit të Ramazanit e dyfishoi angazhimin tim në fushën politike apo edhe në fushat e tjera me të cilat merrem në jetën e përditshme.Më së lehti i përballojmë sfidat kur jemi agjërueshëm”.