Mësimdhënësit

Rrahman Jasharaj tregon se kur ka qenë nxënës janë rrahur klasë me klasë për shkak të mësueses (Video)

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj ka kërkuar që të ruhet dhe të mbrohet figura e mësuesit e mos të kritikohet.

Kryesindikalisti i arsimit tha për Ballkani.info se këtë e ka kërkuar edhe në Ministrinë e Arsimit, në mënyrë që të mos krijohet një bindje e keqe për mësimdhënësit.

Sipas Jasharajt ekspertët, siç tha ai, të porositur nga qeveria dalin me deklarata që e irritojnë mësuesin.

“Jo rrallë, ekspertë të porositur nga qeveria sidomos dalin me një deklaratë, e cila tingëllon shumë keq dhe krijohet një irritim për mësuesin. Unë kam thënë sa herë kam shkuar në MASHT, dhe tash nuk po shkoj sepse nuk kemi muhabet me ta fatkeqësisht, kam thënë ta ruajmë në publik figurën e mësuesit mos ta lëndojmë sepse nxënësi pastaj e krijon një bindje të keqe”, tha ai për Ballkani.info.

Jasharaj më tej ka treguar se si kur ka qenë nxënës në shkollë janë rrahur vetëm për të mbrojtur mësuesen dhe të mos i thuhet asnjë fjalë e keqe asaj.

“Ne dikur kur jemi rrahur klasa me klasë jemi rrah për shkak të mësueseve sepse ne e donim dhe na dukej mësuesja më e bukur më e mira, më e dijshmja, normal klasës tjetër i dukej mësuesja e tyre. Kur dilnim në pushim të gjata klasa tjetër na e thoshte ndonjë fjalë për mësuesen tonë, ne nja dy fjalë për mësuesen e tyre dhe pastaj djem e vajza për flokësh u rrihnim. Pastaj kur dilte drejtori e vërtetonte se jemi rrah pa lidhje, por jemi rrah duke e mbrojtur mësuesen tonë”, ka treguar ai. /Ballkani.info/