Rrahman Jasharaj

Rrahman Jasharaj: Lajm i keq rritja e pagës për Albin Kurtin, arsimtarëve po u ulën koeficientet

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Rrahman Jasharaj ka thënë se draft ligji aktual për pagat e që me këtë do t’i rritet paga kryeministrit Kurti për afër 800 euro, është lajm i keq.

Sipas tij SBASHK-u po e kundërshton draft ligjin aktual, meqë sipas tij, shumica e punonjësve në arsim nuk përfitojnë rritje nga ligji i ri i pagave.

“Lajm i keq nëse kryeministrit Albin Kurti i rritet paga, e arsimtarëve dhe kategorive të tjera në arsim i ulen koeficientet”, ka thënë Jasharaj.

Sipas tij, nëse Qeveria gjegjësisht kryeministri, ministri i Punëve të Brendshme dhe administratës Xhelal Sveçla dhe ministrja e arsimit Arbërie Nagavci nuk reflektojnë, atëherë greva në arsim është e pashmangshme.

“Përfaqësuesit e të punësuarve në arsim, që nga çerdhet e deri në Universitete , pasi kanë bërë vërejtje konkrete, kanë shprehur kundërshtime të bazuara ndaj këtij versioni të Draft Ligjit të pagave. Për SBASHK-un është i papranueshëm raporti i koeficienteve 1 me 20 ,që favorizon shumë qeveritarët në dëm të të punësuarve në arsim, kulturë por edhe sektorë të tjerë, e po ashtu është e papranueshme edhe tendenca për zbritje të koeficienteve për numrin më të madh të të punësuarve në arsim”, ka thënë Jasharaj për Gazeta Blic.

Sipas tij, SBASHK por edhe sindikatat e tjera janë për dialog me qeverinë e Kosovës, por në rast se nuk merren parasysh rekomandimet e tyre , Jasharaj ka dhënë edhe një detaje se çfarë pritet të ndodh.

“Me 2 prill e kemi mbledhje e Këshillit Drejtues po i them edhe Albin Kurtit por edhe Sveçlës e Nagavcit se pas kësaj date sistemi arsimor do të bllokohet përmes grevave e protestave”, ka thënë ai ndër të tjera.

Por, në rast se rekomandimet e SBASHK dhe sindikatave të tjera merren parasysh në ligjin e ri të pagave, pagat me rritje punonjësit e arsimit dhe të tjerët, do t`i marrin tek pas gjashtë muajshe pas jetësimit të ligjit të ri të pagave.

E deri në këtë periudhë SBASHK-u ka edhe një kërkesë ndaj Qeverisë së Kosovës.

“Nga konsultat e zhvilluara SBASHK kërkon nga Qeveria të ngritën pagat në mënyrë lineare në vlerën prej 100 euro për gjithë të punësuarit në arsim , shkencë e kulturë nga muaj prill e deri kur të nis së implementuari Ligji i ri i pagave, që duhet të jetë produkt i marrëveshjes paraprake mes Qeverisë dhe sindikatave”, ka thënë kryetari i SBASHK-ut.