Një rrahje masive ka ndodhur mbrëmë vonë në një nga restorantet në Gjakovë. Si pasojë e rrahjes disa persona kanë pësuar lëndime të lehta trupore.
Lajmin për Ballkani.info e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Shermet Elezaj.
“Me datë 12 dhjetor 2024, rreth orës 01:30, kemi pranuar një informatë për një përleshje fizike mes dy grupeve në rrugën “Martirët e Lirisë” në Gjakovë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, ku janë arrestuar dy të dyshuar (meshkuj të moshës madhore), të cilët dyshohen se janë përfshirë në përleshje”, ka thënë ai.
Ai ka bërë të ditur se në vend të ngjarjes janë gjetur edhe disa prova.
“Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes, dhe hetimeve të zhvilluar janë gjetur dhe sekuestruar: një fishek, një karikator dhe një thikë”, ka potencuar ai.
Sipas tij, me urdhër të prokurorit të shtetit dy personat e arrestuar janë ndalur në mbajtje si dhe “është iniciuar rast ‘mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’ dhe ‘lëndim i lehtë trupor’, ndërsa hetimet janë në proces për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes”./Ballkani.info/







