Shaban Ramaj e Arsim Ramadani, të dy punëtorë të Telekomit u përleshën mbrëmë në ndejën e fundvitit të mbajtur nga kompania e tyre.

Mbrëmja e 19 dhjetorit nuk përfundoi aq mirë për punëtorët e Telekomit që kishin dalë për të festuar të arriturat e këtij viti në vendin që në Prishtinë njihet si te “Kafet e Vogla”, shkruan lajmi.net.

Nga ajo që është thënë nga dëshmitarë që kanë parë ngjarjen nga afër, konflikti mes Ramajt e Ramadanit filloi brenda lokalit ku ata ishin duke qëndruar.

Konflikti i nisur brenda nuk përfundoi me kaq. Sipas dëshmisë së dhënë për lajmi.net nga disa persona që dëshirojnë të mbesin anonim, Arsim Ramadani e Gani Ramaj, dolën për t’i qëruar hesapet jashtë vendit ku po qëndronin.

E konflikti për pak sa nuk përfundoi me fatalitet. I plagosur mbeti Gani Ramaj, e që sipas vetë dëshmisë së tij, plumbi u shkrep aksidentalisht nga arma e tij.

Sipas dëshmitarëve që kanë folur për lajmi.net, edhe Arsim Ramadani që po  dyshohet të ketë qenë i përfshirë në konflikt, kishte armë me vete por që një informacion i tillë mbetet i pakonfirmuar.

Personi i lartëpërmendur po e demanton krejt ngjarjen. Ai përmes një postimi në Facebook, para disa minutash tha se nuk ka qenë i përfshirë në konflikt e as në plagosjen që ndodhi mbrëmë.

Madje ka kërkuar që mediat të raportojnë drejtë për këtë ngjarje.

Sidoqoftë, Gani Ramaj që pësoi nga plumbi që thotë se ai vetë e shkrepi, tani po qëndron në shtëpi.

Një mik i tij, ka postuar një fotografi në Facebook, teksa ka thënë se Ramaj është shëndosh e mirë.

Edhe Policia ka dhënë detaje për rastin, mirëpo ata këtë e kanë përshkruar si zënkë mes të rinjësh.

Nga Policia e Kosovës kanë thënë se kanë intervistuar të dyshuar si dhe dëshmitarë, e po ashtu kanë konfiskuar një armë që dyshohet se është përdorur në konflikt.

Po ashtu, është bërë e ditur se viktima e këtij rasti, Gani Ramaj, në polici ka deklaruar se plagosja është shkaktuar aksidentalisht nga vetë ai.

Të gjithë këtë rast, policia e ka cilësuar si “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”.