Mjekët

Rrahja në QKUK: Mjekët përgjaken aty ku dhurohet gjaku

Është vendi ku zakonisht jepet gjak me qejf. Por, të martën në Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut brenda QKUK-së mund të jetë derdhur gjak me ‘dhunë’.

Kjo meqë njëri nga mjekët që punon në këtë qendër, u rrah me një tjetër që erdhi nga Kardiologjia. I pari B.M u arrestua pasi i shkaktoi lëndime të rënda trupore kolegut të tij I.M që pranoi tretman mjekësor.

Kolegët e dy punonjësve konfirmuan se ka pasur rrahje në objekt brenda orarit të punës, por të njëjtit nuk pranuan të flasin për rastin e as të japin më shumë detaje, teksa vetë drejtoresha e këtij institucioni nuk i ktheu mesazhet e as nuk i hapi telefonin Klan Kosovës gjatë gjithë ditës.

Megjithëkëtë, ajo që dihet është se 47-vjeçari u dërgua në emergjencë, meqë dyshohet se mund të ketë pësuar thyerje të hundës.

E për këtë lëndim që shkaktoi, B.M po mbahet në ndalim.

Klan Kosova nga burimet e veta mori vesh se specializanti i Kardiologjisë në QKTGJ kishte shkuar për të kryer punë të tjera private që nuk lidheshin me klinikën ku ai punonte. /Klankosova.tv