Fushata

Rrahja në Podujevë mes LDK e VV, Shpejtim Bulliqi i lë fajin zyrtarëve policorë

Gjatë ditës së sotme ka ndodhur një përplasje fizike mes aktivistëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në Podujevë në ditën e fundit të fushatës zgjedhore në këtë qytet.

Kandidati i VV-së për këto zgjedhje Shpejtim Bulliqi në një deklaratë për Express, tha se i tërë ky incident është provokuar nga një zyrtar policor me emrin Butrint Krasniqi.

Madje ai pohoi se polici ka marrë pushim nga puna vetëm për të qenë pjesë e fushatës së LDK-së.

“Realisht nga ajo që pashë dhe kuptova tashmë është provokuar një incident nga ana e klanit të LDK-së këtu në të cilin incident duket se janë të involvuar edhe zyrtarët policor. Zyrtarët policor faktikisht edhe e kanë shkaktuar incidentin duke e provokuar fotografisitin e fushatës sonë.. Shefi i Shtabit tonë dje ka kërkuar një takim me Komandantin e Stacionit Policor për Podujevë, për të diskutuar në mënyrë që të krijohet mundësia për të evituar çdo incident në këto zgjedhje. Takimi është refuzuar nga ana e komandantit të stacionit policor, është një komandant të cilin Ministri i Brendshëm e ka sjellë këto ditë në Podujevë, special , dhe fatkeqësisht ai i cili e ka nis incidentin është polic i po këtij stacioni policor, i cili është vënë në shërbim të LDK-së dhe e ka provokuar situatën. Ai këtyre ditëve ka marrë pushim nga puna për tu fokusuar pikërisht në fushatën e LDK-së. Emri i tij është Butrint Krasniqi dhe shërben në stacionin policor në Podujevë” deklaroi Bulliqi për Express.

Zgjedhjet në komunën e Podujevës do të mbahen këtë të dielë. Në garë për kreun e komunës janë tre kandidatë. Nexhmi Rudari (LDK), Shpejtim Bulliqi (VV) dhe Naim Fetahu (PDK).