Rrahet nga policia me akuzën se ia bëri ‘me sy’ zyrtares policore në veturë

Një qytetar me inicialet L.Z. pretendon se mëngjesin e sotëm është rrahur nga dy policë, të cilët fillimisht e kishin dërguar në stacionin “Qendra” nën arsyetimin se i njëjti i kishte bërë me sy një zyrtareje policore që kishte qenë në veturën e policisë.

L.Z. (Emri i njohur për redaksinë) thotë se rastin e ka paraqitur edhe në Inspektoratin Policor të Kosovës dhe se ka marrë raportin mjekësor për të vërtetuar se ndaj tij është ushtruar dhunë.

Ai deklaron se rasti ka ndodhur rreth orës 4.30 të mëngjesit të sotëm, në afërsi të diskotekës “Zona” në Prishtinë, derisa kishte qenë në veturë me 4 persona të tjerë, janë ndaluar nga dy policë dhe më pas janë shoqëruar në stacionin policor “Qendra”.

Ai tregon momentet që kishte përjetuar që nga ndalimi nga ana e policisë e deri te dërgimi i tij në stacionin policor, ku ishte marrë në pyetje, madje thotë se ishte fyer dhe goditur me shqelm nga zyrtarët policorë.  

“Erdhën dy policë. Ne ishim në anën e kundërt prej ‘Zona’. Ne ishim duke shkuar prej ‘Zonës’ kah sheshi. Ata ishin në anën e kundërt. Kur u ndala unë, aty erdhën dy policë te xhami i shoferit dhe te xhami im ku isha ulur dhe na i morën letërnjoftimet dhe thanë ejani deri në stacion. Shkuam në stacion bashkë me ta. Kur hymë aty brenda, së pari më tha qysh e ki emrin. Ia thash unë emrin. Tha çfarë emri idiot paske dhe tha çfarë emri pa lidhje. Na kontrolluan së pari a kemi ndonjë send të rrezikshëm aty duke na goditur shqelm këmbëve. 

Kur më shtinë në zyrë aty ishin dy policë edhe tha kujt ia bënë ti me sy, aty në veturë të patrullës kanë qenë tre meshkuj edhe një femër, tha kujt ia bënë ti me sy, ia ke bë tha asaj femrës me sy. Nuk pata nevojë t’ia bëj asaj femrës, së pari nuk më ka ra në sy ajo femër hiç mua dhe tani më goditi tri-katër shuplaka dhe kujt ia bënë ti me sy, duhet me të ardhur marre dhe thoshte fjalë fyese po unë nuk po dua t’i them tash ato fjalë, pasi janë shumë fjalë të rënda banale”, tha L.Z.

L.Z se rastin e ka paraqitur edhe në Inspektoratin Policor të Kosovës dhe se ka marrë raport mjekësor për të vërtetuar se ndaj tij është ushtruar dhunë.

“Kenë dy policë aty në zyre dhe tha qiti krejt çka ki në xhepa, i qita unë krejt në tavolinë, unë i thash a bën ta di emrin edhe më tha ‘jo nuk bën, nuk të intereson’ dhe ma futi prapë shuplakë… As nuk kanë marrë raport, kurrfarë deklarate kështu qysh pyet policia se a po doni avokat, apo a t’i lexoni të drejtat që i ki.  Kam shkuar në emergjencë të marr raportin që kam pasur dhimbje koke që më ka goditur, më kanë rreh, moralisht kam qenë pak i lënduar. Kam shkuar edhe tek Inspektorati dhe e paraqita rastin”, tha ai.

L.Z. mohon të ketë ngacmuar zyrtaren policore që kishte qenë në veturën e policisë së bashku me dy policët e tjerë.

“Katër veta kemi qenë, po na kanë marrë veç mua dhe shoferin”, tha ai.

KosovaPress ka provuar të marrë një përgjigje nga Inspektorati Policor lidhur me pretendimet e qytetarit L.Z, por deri tani nuk ka marrë përgjigje.