Ronaldo insiston se tek Unitedi është kthyer për trofe

Ylli portugez, Cristiano Ronaldo, ka insistuar se është kthyer te Manchester Unitedi për të fituar trofe e jo për pushime. Në një intervistë për faqen zyrtare të klubit anglez, Ronaldo ka parashikuar se do të luajë të paktën edhe për katër vjet.

Në intervistën e parë prej se është kthyer te Unitedi, Ronaldo ka zbuluar synimet e tij të mëdha që i ka me ekipin. Sulmuesi 36-vjeçar iu bashkua Unitedit në fund të afatit kalimtar të verës nga Juventusi, ekip për të cilin luajti në tre vjetët e fundit. Ronaldo me ekipin anglez firmosi kontratë dyvjeçare me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër.

“Te Manchesteri jam kthyer për trofe. Nuk jam këtu për pushime, sepse për mua është e rëndësishme të arrij suksese të mëdha. Këtë fanellë e kam bartur edhe para shumë vjetësh por tani jam këtu sërish për të fituar”, ka insistuar Ronaldo, i cili ishte pjesë e Unitedit prej vitit 2003 deri në vitin 2009 përpara se të transferohej te skuadra e Real Madridit. “Unë jam në gjendje për të fituar, së bashku me bashkëlojtarët. Jam gati dhe ky është një rast i mirë për mua, tifozët dhe klubin që të bëjmë një hap përpara. Mendoj se do të jem edhe më i mirë në katër vjetët e ardhshëm dhe do ta ndihmoj klubin shumë”.

Ronaldo gjithashtu ka thënë se me padurim po e pret debutimin me fanellën numër shtatë të Manchester Unitedit. Ai pritet të luajë në ndeshjen kampionale kundër Newcastle Unitedit që zhvillohet të shtunën prej orës 16:00 në stadiumin “Old Trafford” dhe i takon xhiros së katërt në Premier League.

“Me padurim pres të dalë para tifozëve dhe shpresoj ta ndihmoj ekipin qysh në ndeshjen time të parë”, është shprehur Ronaldo.

Sa ishte tek Unitedi, Ronaldo fitoi nëntë trofe, përfshirë tre tituj kampioni në Premier League dhe një trofe të Ligës së Kampionëve. Ndërkohë, me fanellën e Juventusit ai fitoi pesë trofe dhe sezonin e fundit ishte golashënuesi më i mirë në Serie A me 29 gola të realizuar. Kurse në total ai shënoi 36 gola në 44 paraqitje në të gjitha garat.

Kthimi i Ronaldos tek ekipi anglez ka entuziazmuar edhe bashkëlojtarët. Mesfushori Bruno Fernandes insistoi se Ronaldo mund ta transformojë Unitedin dhe ta bëjë konkurrent të fortë për trofe këtë edicion.

“Me ardhjen e Ronaldos është rritur edhe entuziazmi në klub. Të gjithë jemi të motivuar dhe me Ronaldon në ekip jemi më afër fitimit të trofeve në të gjitha garat”, ka thënë Fernandes.

Aktualisht Unitedi zë vendin e tretë në kampionatin anglez me shtatë pikë të grumbulluara.