Ronaldinhos i është ofruar hapësirë e madhe dhe një top për të ushtruar gjatë “burgut shtëpiak”

Yllit brazilian, Ronaldinho, i është dhënë një dhomë e madhe dhe një top futbolli për të ushtruar gjatë kohës sa është nën arrest shtëpiak, në një hotel luksoz në Paraguai.

Legjenda e futbollit, Ronaldinho, dhe vëllai i tij janë arrestuar më 6 mars, ndërsa janë mbajtur në paraburgim në Paraguai për prezantim të pasaportave të rrejshme.

Për rreth një muaj Ronaldinhos dhe vëllait të tij i është refuzuar lirimi me kusht, ndërsa janë përballur me burg deri në gjashtë muaj. Por më 8 prill ata janë liruar nga burgu, me kusht që të qëndrojnë brenda një hoteli dhe të vuajnë arrest shtëpiak deri në gjykimin e tyre.

40-vjeçari Ronaldinho po kalon ditët në suitën presidenciale në hotelin Palmaroga. Dhoma e tij është luksoze, ndërsa menaxheri i hotelit, Emilio Yegros i ka thënë AFP-së se Ronaldinhos i është dhënë një top dhe i është krijuar një hapësirë për të luajtur në dhomën e tij.

“Ditë më parë ia kanë sjellë një top futbolli. Ne kemi liruar një hapsirë, rreth 30 metra me 15 metra, që ai të jetë në gjendje të praktikojë lëvizjet me top. Ai duket i disponuar. Gjithmonë është i buzëqeshur, njëjtë si vëllai i tij”, ka thënë Yegros.

“Fytyra e tij ka ndryshuar në krahasim me ditën e parë kur ka ardhur këtu. Kur erdhi ishte i tensionuar dhe i stresuar”.

Sipas The Sun, të burgosurit kanë qarë kur është larguar Ronaldinho. Kanë organizuar një festë përshëndetëse me skarë për të. Ronaldinho ishte i popullarizuar edhe në burg, ndërsa ka ndihmuar ekipin e burgut të fitoi një turne, duke realizuar pesë gola.